Gazetaria që ulëret: Fundi i debatit dhe humbja e njerëzores në mediat shqiptare
Gezim Mekuli
Nga Gëzim Mekuli /Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Në Universitetin Oslos, në Institutin për Gazetari dhe Shkenca të Mediave, u zhvillua një eksperiment interesant: studentëve të vitit të parë të gazetarisë iu kërkua të hartonin kriteret e reja për ndërtimin e lajmit për të ardhmen.
Studentët u nisën nga modeli klasik i kriterieve për përzgjedhjen e lajmit sikurse janë: Rëndësia, Identifikimi, Sensacioni, Aktualiteti dhe Konflikti. Pra u nisen nga formula e vjetër për të analizuar mënyrën se si përzgjidhen lajmet. Këto kriterie të ndërtimit të lajmit janë zhvilluar nga norvegjezët Johan Galtung dhe Mari Holmboe Ruge që në 1960.
Por në epokën tonë të mbingarkuar me lajme, informacion dhe krizë perceptimi publik, këto kritere të lajmit kanë krijuar një strukturë komunikimi konfliktual, ku dominon Negativiteti dhe humbë dimensioni njerëzor i lajmit.
Nëse nisemi nga perspektiva e retorikës klasike (Aristoteliane), kjo përbën një humbje të drejtëpeshimit ndërmjet ethos-it (besueshmërisë), pathos-it (emocionit) dhe logos-it (arsyes). Sepse nëse lajmi ndërtohet vetëm mbi pathos, pra mbi emocionin dhe frikën, atëherë ai nuk pasqyron realitetin, por vetëm provokon reagim dhe konflikte në publik.
Kriteret e reja drejt një komunikimi më njerëzor dhe konstruktiv
Studentët norvegjezë argumentuan se gazetaria duhet të përditësohet për të reflektuar realitetin.
Ata propozuan modele të reja si Konstruktiv (ndërtues), Objektiv (i paanshëm), Njerëzor, Përfshirës), Kërkues i së vërtetës dhe i përmbledhur. Gjithashtu ata propozuan edhe kriteriet sikurse që janë: i Saktë, Autentik,i Guximshëm, me Ndikim dhe Angazhues. Këto krietrie theksojnë konstruktivitetin, etikën, autenticitetin dhe njerëzoren si elementë të domosdoshëm të komunikimit publik.
Në terma retorik, kjo është një kthesë nga retorika e konfliktit te retorika e mirëkuptimit, nga «bërtitja dhe piskamat» drejt «dëgjimit dhe respektit».
Në këtë mënyrë, lajmi dhe debati nuk është më një garë për klikime, por një proces komunikimi që kërkon kuptim të ndërsjellë dhe ndërtim të realitetit kolektiv. Kjo përkon me parimet e komunikimit etik ku qëllimi nuk është vetëm informimi, por edhe përfshirja qytetare.
Gazetaria shqiptare: patosi (ndjenja) i tepërt dhe mungesa e logos-it (arsyes, logjikës)
Në hapësirën shqiptare, për fat të keq, kriteriet e lajmit sikurse: Rëndësia, Identifikimi, Sensacioni, Aktualiteti dhe Konflikti është reduktuar vetëm në dy elemente: Sensacionin dhe Konfliktin.
Mediat e Tiranës dhe Prishtinës janë zhytur në një jokulturë apo më mirë të them në një dekadencë kulturore, ku Lajmet dhe Debatet ndërtohen mbi dramë, tension, përplasje, ofendime dhe personalizim ekstrem. Emisionet politike shndërrohen në arena primitive verbale, ku gazetarët jo vetëm që nuk ruajnë barazpeshën, por përçojnë agresivitet, nënçmim, kërcënim dhe dhunë psikologjike.
Në shumë studio televizive të Prishtinës dhe Tiranës moderatori (me gazetarët e vet) ndërpret, ironizon, shanë, pështynë, shpifë, rrenë dhe provokon të ftuarit për debat për të prodhuar konflikt dhe dramë; duke e parë britmen dhe përplasjen si "vlerë lajmi". Pra debati politik apo social është zëvendësuar nga spektakli retorik, ku gjuha e urrejtjes dhe etiketimeve personale bëhet strategji komunikimi.
Në këtë mënyrë, gazetaria shqiptare e humb funksionin e saj publik dhe kthehet në një performancë të pathos-it ekstrem, ku ndjenja sundon dhe racionaliteti hesht.
Nga këndvështrimi i shkencës së komunikimit, ky model e prishë dialogun publik. Mediat nuk krijojnë më hapësira deliberative të logjikshme e të hapura për komunikim, por hapësira polarizuese, ku publiku nuk informohet, por ndjehet i frikësuar ose i lodhur. Kjo faqe e zezë përputhet edhe me të dhënat e "Reuters Institute", sipas të cilave numri i qytetarëve që shmangin lajmet, për shkak të negativitetit të tepërt, po rritet.
Ndërmjet komunikimit etik dhe spektaklit mediatik
Në aspektin retorik, gazetaria shqiptare ka braktisur ethos-in profesional; Në vend të argumentimit logjik, kemi polemikë retorike; në vend të diskursit racional, kemi strategji diskursive të sulmit mesjetar. Ky devijim e shndërron median në prodhues të krizës dhe jo në moderator të komunikimit tonë social.
Përderisa media shqipe ka emocionin dhe konfliktin si kriterie për lajmin/debatin, modeli norvegjez promovon një gazetari që ndërton dialog, besim dhe zgjidhje. Media norvegjeze e sheh lajmin si mjet qytetar e jo si armë tregtare. Në këtë sens, koncepti i “konstruktivitetit” nuk është sentimentalizëm, por domosdoshmëri demokratike.
Sot, komunikimi publik në hapësirën shqiptare përballet me një krizë të trefishtë: krizë etike, retorike dhe perceptimi publik.
Nëse lajmi matet me sa përplasje dhe dramë prodhon dhe jo me sa kuptim sjell në publik, atëherë media nuk është më pasqyrë e realitetit, por skenografi e konfliktit dhe zhurmës.
Siç sugjerojnë studentët norvegjezë të gazetarisë, gazetaria duhet të rigjejë Njerëzoren, Konstruktivitetin dhe ndershmërinë intelektuale.
Konsekuent deri në fund: a mund të kemi demokraci të shëndetshme ne shqiptarët pa një gazetari që di të dëgjojë, të ndërtojë dhe të edukojë, e jo vetëm të ulërasë, të shajë, të manipulojë e të kërcënoj?
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
