Funksionet shtetërore janë për t’iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, e jo militantëve partiakë

Funksionet shtetërore janë për t’iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, e jo militantëve partiakë
Funksionet shtetërore janë për t’iu shërbyer qytetarëve të Kosovës, e jo militantëve partiakë

Nue Oroshi

  • 20 November 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Unë mendoj se ndarja e pushtetit, ta quaj kushtimisht, nga katër parti politike të Kosovës është më e shëndetshme për demokracinë. Është më e shëndetshme për faktin se ka edhe një garë në qeverisje dhe shihet qartë se cila nga këto katër parti qeveris më mirë qytetet ku kanë fituar.

 

-Kjo ka edhe një anë negative për faktin se partitë që janë në qeverisjen qendrore ato me shumë buxhet ndajnë tek ato komuna ku qeveriset nga partitë e tyre. Kjo nuk është demokratike dhe as logjike. Nuk është demokratike për faktin se buxheti duhet të ndahet për kokë banori dhe jo që një komunë katër herë më e vogël se Prishtina të marrë buxhet të njëjtë me Prishtinën apo edhe më shumë. Nuk është logjike për faktin se shpeshherë nivelet qendrore bëjnë bllokada ndaj niveleve lokale ku nuk qeverisin partitë e tyre, me qëllim që mos t’u mundësojnë të ecin përpara. Harrojnë ato parti se edhe në ato qytete ku ato nuk kanë fituar kanë një numër të mirë qytetarësh që i kanë votuar edhe ata dhe i votojnë prapë në zgjedhjet parlamentare.

Kështu që këto parti që qeverisin në nivele qendrore, duke u munduar t’i dobësojnë kundërshtarët e tyre në nivelin lokal, i dëmtojnë përveç të gjithë qytetarëve, edhe votuesit e tyre. Kështu që politikanët kur të hyjnë në zyrat e institucioneve, qoftë qendrore, qoftë lokale, librezat e partive të tyre politike duhet t’i lënë në shtëpitë e tyre, e ata që janë pak më militant në zyrat e partive të tyre. Funksionet shtetërore, qoftë lokale, qoftë qendrore, janë funksione ku duhet t’i shërbehet qytetarit të Republikës së Kosovës, e jo militantëve partiakë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"