Sabotuesit e shtetit!
Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Ky informacion për politikanët dhe deputetët e ish-parlamentit të Kosovës tashmë ka hyrë në librin e “Guinness”-it, sepse një situatë e tillë nuk i ka ndodhur asnjë Shteti tjetër në botë. Nuk ka ndodhur askund më parë që një shtet të dështojë mbi 50 herë për ta konstituar parlamentin apo institucionet e veta. Kjo i ka ndodhur Kosovës me këta të ashtuquajtur “deputetë”, të cilët plot 9 muaj e mbajtën peng shtetin, duke i maltretuar dhe mashtruar qytetarët nga të cilët, përmes votave, u bënë deputetë të Parlamentit të Kosovës.
Këto parti të opozitës, në kohën kur pandemia COVID-19 e kishte goditur planetin tonë dhe kur e gjithë bota kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme për të mbrojtur shëndetin e popullit, duke u bashkuar mes veti në mënyrën më perfide, e rrëzuan qeverinë në detyrë. Ky vendim, ky veprim, e ka vendin në librin e “Guinness”-it, duke e njollosur popullin dhe shtetin e Kosovës. Këta të ashtuquajtur liderë partiak, të cilët që nga paslufta e kanë uzurpuar politikën dhe demokracinë, duke u thirrur kinse në interesin e shtetit, ia humbën Kosovës 100 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian të dedikuara për investime kapitale, vetëm pse nuk i votuan marrëveshjet ndërkombëtare. Deputetët, të mbështjellë me petkun e patriotizmit dhe parulla të luftës, nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi për dështimet e shumta që i kanë ndodhur shtetit të Kosovës vite me radhë. Këta liderë, bashkë me klanet e tyre partiake, u pasuruan me shpejtësi marramendëse dhe sot kanë problem t’i monitorojnë pronat e tyre milionëshe. Sabotimet e njëpasnjëshme që i ndodhën Kosovës përmes kësaj politike primitive pasqyrojnë mendësinë e mentalitetit të ngushtë të lagjes (mahallës), duke krijuar mite familjare për t’u futur në politikë për interesa të ngushta, që nuk kanë asgjë të përbashkët me normat dhe vlerat demokratike. Kjo gjendje u reflektua edhe në zgjedhjet e fundit lokale në komunat e Kosovës, ku shihet qartë se grupet e interesit, të udhëhequra nga emrat e njohur të skenës politike, e kanë ndarë Kosovën në sfera interesash – përkatësisht në rajone familjare dhe klanore. Gjatë gjithë vitit, populli është ngopur dhe helmuar nga gjuha denigruese, kërcënuese e primitive, e përdorur në debate të ndryshme, ku etika dhe vlerat, nëse ekzistojnë diku në sistem, kanë rënë për tokë. Kjo klasë politike, e helmuar dhe e ngarkuar me urrejtje patologjike, e ka përçarë popullin duke nxitur tensione ndërmjet njerëzve, të cilat herë pas here janë shndërruar edhe në sulme fizike. Edhe sot, kur dështoi Parlamenti i Kosovës, deklaratat e përfaqësuesve të partive politike ishin në të njëjtat radiovalë me Listën Serbe, gjë që u dëshmua hapur edhe nga deputeti Simiq. Prandaj, edhe nëse shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk ka shpresë që gjendja të ndryshojë për të mirë me këto subjekte politike, të cilat e kanë bllokuar shtetin dhe janë konsumuar skajshmërisht nga politika e tyre e verbër. E pajustifikueshme është edhe heshtja e pjesës dërrmuese të të ashtuquajturve intelektualë, të cilët dikur kishin emër, por sot qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre fenomeneve të dëmshme që po i ndodhin shtetit të Kosovës. E vetmja zgjidhje për të tejkaluar krizën do të ishte formimi sa më i shpejtë i një subjekti (partie gjithëpopullore) pa ngjyra partiake – një lëvizje e cila, përmes rregullativës ligjore, do të certifikohej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, me qëllim largimin nga skena të këtyre matrapazëve që janë bërë të padurueshëm.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
