Dita botërore e Televizionit: Ditë feste apo ditë zie kulturore?
Gezim Mekuli
Nga Gëzim Mekuli /Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Sot gjitha mediat shqipe na kujtuan se shënohet “Dita Botërore e Televizionit”, një datë e vendosur nga Kombet e Bashkuara për të nderuar ndikimin e ekranit në shoqëri. Institucionet ndërkombëtare si EBU, ACT dhe EGTA e paraqesin televizionin si shtyllë të informimit dhe edukimit modern. Biles këti institucione flasin për “rolin edukues”, “forcimin e dialogut” dhe “kontributin kulturor” mes njërëzve.
Por, po ta shohim me sytë e Neil Postmanit, kjo ditë duhet të jetë "ditë zie". Sepse televizioni, mediumi që duhej të informonte dhe ndriçonte publikun, është kthyer në industrinë më të suksesshme të shpërndarjes së budallallëkut bukur mirë të paketuar.
Postmani, që herët, na paralajmëroi se ne nuk do të shtypemi nga një diktator që na ndalon librat dhe gazetat, por nga një ARGËTIM i pafund që na bën të harrojmë pse na duhen librat dhe gazetat. Postmani paralajmëroi se rreziku i së ardhmes nuk është censura totalitare, por ARGËTIMI i pafund: një botë ku qytetarët nuk vuajnë nga mungesa e informacionit, por nga bollëku i tij banal e përçmues. Ai shkroi qartë se televizoni e shndërron çdo gjë në SPEKTAKËL dhe se “kur serioziteti paraqitet në formën e argëtimit, serioziteti zhduket”. Kjo frazë është sot më aktuale se kurrë në hapsirën tonë publike.
Televizioni, posqërisht si shqiptar, e ka bërë realitetin një performancë një teatër. E ka kthyer lajmin në aktrim, debatin në argëtim e duel për klikime, tragjedinë në material dramatik e të dehumanizuar. Nuk ka rëndësi çfarë thuhet, mjafton të thuhet me ritëm, me ndjenja, me britma dhe me buzëqeshje. Në ekranin televiziv gjithçka duhet të jetë “interesante”, përndryshe zhduket.
Publiku nuk kërkon më argumente; kërkon histori të shkurtra, Big Brother, emocione të shpejta, debate teatrale dhe një thënie të fortë e ekstreme për t’u shpërndarë sa më shumë. Dhe televizioni i jep publikut pikërisht këtë: një botë të copëtuar në fragmente të padëmshme, ku askush nuk ka kohë të mendojë por vetëm të qeshë e të përgojojë. Postmani do të thoshte se televizioni nuk na e ka fshehur të vërtetën; thjesht na ka bërë të harrojmë që e vërteta kërkon përqendrim, logjikë dhe seriozitet.
Nga informacioni tek INFOTAINMENT-i: rrëshqitja që na kushtoj shtrenjtë
Të jem i qartë: televizioni nuk na jep më lajme; na jep infotainment, përzierjen fatale mes informacionit dhe argëtimit. (Information og Entertainment) Postmani ishte i pamëshirshëm në këtë pikë: televizoni nuk është i aftë të përçojë argumente të thelluara, sepse vetë struktura e tij kërkon emocion, ritëm, fragment, fotografi, zhurmë e piskamë.
Në momentin që lajmi trajtohet si show, politika si garë dramatike, dhe tragjedia si pjesë e programit, publiku ndalon së menduari. Ai vetëm konsumon. Po, televizioni e ka bërë botën shqiptare një fragmentturmë që do vetëm zbavitje, darsma dhe Big Brother, ku realiteti ka vlerë vetëm nëse është “interesant, me plot ndjenja dhe zbavitës”.
Pse e them se Infotainment-i është i rrezikshëm? Është i rrezikshëm sepse:
• e zhvendos vëmendjen nga përmbajtja tek spektakli;
• i mëson qytetarët të reagojnë emocionalisht, jo racionalisht;
• e zëvendëson analizën me fjali të thjeshtuar;
• i barazon të gjitha ngjarjet (tragjeditë, zgjedhjet, protestat) si produkte që duhet të shiten me ritëm argëtues televiziv.
E kjo është mënyra më efikase për të krijuar një publik të pasivizuar: një shoqëri që di të qaraveshet me debate me pak kuptime.
Postmani shkruante se televizioni “nuk diskuton çështjet, vetëm i paraqet ato”. Dhe paraqitja vjen gjithmonë me një buzëqeshje të shpejtë dhe një zë të butë prezantuesi që e shndërron edhe krizën njerëzore në material të konsumueshëm. Në këtë logjikë, politika bëhet argëtim, analisti një personazh cirku, ndërsa qytetari i shkretë një spektator që di vetëm të zgërdhihet e të duartroket; dhe kështu, sipas Postmanit, “media e gëlltit përmbajtjen”.
Prandaj, në "Ditën Botërore të Televizionit", është e arsyeshme të pyesim veten jo se çfarë na ka dhënë televizioni, por çfarë na ka marrë televizioni: Na ka vjedhë kohën për reflektim, aftësinë për debat konstruktiv, vëmendjen për argumente dhe vlerën e fjalës së shkruar. Ne përjetojmë botën nga kauqi nga fotelja, të palëvizshëm.
Por në një botë ku informacioni vjen si argëtim e si dramë, humbë serioziteti dhe humbë përgjegjësia. E qytetaria është e pamundur në një kulturë që kërkon vetëm të zbavitë.
Nëse duam të ruajmë një kulturë publike të shëndetshme, duhet ta shohim televizionin jo si triumf të komunikimit modern, por duhet të mësojmë përdorimin e tij. Dita e sotme nuk është thirrje për festim, por për kthjellim.
Konsekuent deri në fund: Bota shqiptare nuk informohet më, por po argëtohet nga informacioni, debatet televizive = Big Brother.
Pse mos ta pranojmë, televizioni e ka fituar luftën kundër mendimit, ka triumfuar mbi analizën, mbi logjikën, ka zëvendësuar gazetarinë me argëtimin dhe ka bërë që serioziteti të duket i mërzitshëm, katundaresk dhe bajat.
Dita botërore e televizionit duhet të shërbejë si kujtesë e asaj që Postmani paralajmëroi dekada më parë: se një kulturë e dominuar nga fotografia humbë aftësinë për të menduar. Dhe, pa mendim të kthjellët, as demokracia nuk është e qëndrueshme.
Festa e ekranit edhe mund të vazhdojë. Por publiku shqiptar duhet të pyesë: cilin çmim po paguajmë për të? Sepse gjatë gjithë këtyre viteve, televizioni nuk na ka bërë më të mençur. Vetëm më të humburë, më të hutuar e më të argëtuar. Dhe, siç thoshte Postmani, pikërisht kjo është mënyra më e rrezikshme për të humbur lirinë: kur nuk e di fare pse po qesh e pse po zgërdhihesh.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
