Anomalitë e kohës: Deputetët i keqpërdoren dy milion euro!

Anomalitë e kohës: Deputetët i keqpërdoren dy milion euro!
Anomalitë e kohës: Deputetët i keqpërdoren dy milion euro!

Ismail Muçiqi

  • 24 November 2025 - 07:26

Nga Ismail Muçiqi

Të ashtuquajturit pseudo-deputetë të ish-Parlamentit të Kosovës, me 54 seanca të dështuara përgjatë mbi shtatë muajve, pa i sjellë vendit asnjë rezultat pozitiv, shpenzuan mbi dy milionë euro për paga dhe mëditje – mjete të taksapaguesve të Kosovës. Ky është një nga turpet më të mëdha që mund t’i ndodhë një shoqërie në kohën në të cilën po jetojmë. Këta demagogë, të cilët e mbajtën të bllokuar Parlamentin dhe institucionet e tjera të shtetit duke u eksponuar para publikut e duke derdhur "lot krokodili" për fatin e Kosovës, jo vetëm që e lanë shtetin pa institucione, por nuk u turpëruan aspak kur i morën të ardhurat mujore, mëditjet dhe beneficionet e tjera, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo klasë politike i ka tejkaluar të gjitha kodet etike, morale dhe njerëzore – nuk ka nevojë për koment.

Shtrohet pyetja: ku është përgjegjësia dhe ndërgjegja e karakterit të njeriut që quhet deputet (politikan)? Çfarë morali ka një intelektual i vetëquajtur, i cili thirret në emër të popullit, e në anën tjetër e tradhton interesin e qytetarit? Është interesante të theksohet se asnjë deputet nuk doli para opinionit të deklarojë se, për shkak të gjendjes që vetë e krijuan, nuk do të duhej të përfitonin financiarisht, duke marrë paga pa dhënë asnjë kontribut. Një proverb popullor thotë: “Mirë që ra bora për ti parë tragjet,” e cila në këtë rast shpalos qartë veprat e secilit. Nuk ka dyshim se historikisht populli Shqiptar ka vuajtur nga elitat politike të cilat, për interesa karrieriste e për bajraktarizëm, i kanë sjellë dëme të pariparueshme vendit. Sot, për shkak të papërgjegjësisë, tekeve dhe inateve të pjesës dërrmuese të ish-deputetëve, qytetarët e Kosovës po detyrohen që, në muajin më të ftohtë të dimrit, të dalin përsëri në votime – për herë të tretë brenda një viti. Ky është një maltretim që qytetarët nuk e meritojnë.

Përveç kësaj, buxheti i Kosovës po dëmtohet edhe për 26 milionë euro të tjera, mjete që do të shpenzohen nga institucionet përkatëse dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili edhe ashtu nuk ka arritur të konsolidohet, duke zvarritur proceset e numërimit të votave dhe duke përsëritur një mori lëshimesh nga zgjedhjet paraprake. Kjo është Kosova e patriotëve të vetëshpallur, e komandantëve, e gjeneralëve, e pseudo-analistëve, e mafies biznesore, dhe e atyre që ideal të vetëm kanë paranë dhe pasurimin, pa respektuar ligjet, normat dhe interesin e qytetarëve. Andaj ka ardhë momenti që kësaj radhe qytetarët të vetëdisohen se kënë duhet ta votojnë me 28 Dhjetor të këtij viti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".