Grushti i fundit për PSHDK-në

Grushti i fundit për PSHDK-në
Grushti i fundit për PSHDK-në

Zef Prenka

  • 01 December 2025 - 14:38

Nga: Zef Prenka 

[Një anëtar i shqetësuar i PSHDK]

Në historinë e pluralizmit politik në Kosovë, pak subjekte kanë pasur një identitet aq të qartë dhe fisnik sa Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK). Një subjekt që u përpoqëm ta rrisnim, ta reformonim dhe ta ringritnim mbi bazat e vlerave perëndimore dhe familjare. Por sot, ky subjekt gjendet para një momenti tragjik, ndoshta fatal. Pyetja që ushton në veshët e çdo demokristiani të vërtetë është e thjeshtë dhe e dhimbshme:

 Pse, z. Zef Morina? Pse, Kryetar?!  Mu në kohën kur përpiqeshim të riorganizoheshim më fuqishëm…?!

Vendimi për t'u rreshtuar në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nuk është thjesht një manovër taktike zgjedhore; është "grushti i fundit" ndaj identitetit politik të PSHDK-së. Është një akt që shënon kapitullimin e filozofisë së djathtë konservatore përballë një të majte, e cila në ADN-në e saj politike mban gjurmët e centralizmit dhe popullizmit.

Paradoksi i madh ideologjik

Çfarë e bashkon PSHDK-në me LVV-në? Përgjigja brutale është: Asgjë, përveç interesit personal të një grupi të ngushtë drejtues.

Si mundet një parti që mbron traditën, rendin dhe bashkëpunimin e qetë institucional, të shkrihet me subjektin që historinë e tij politike e ka ndërtuar mbi konfliktin e rrugës? Kujtesa jonë nuk është aq e shkurtër sa të harrojmë gazin lotsjellës në tempullin e demokracisë (Parlament), koktejt e molotovit dhe diskursin e dhunshëm që për vite me radhë tentoi delegjitimimin e shtetit të Kosovës.

Të kërkosh nga një votues demokristian – i cili beson te ligji dhe shteti – të votojë për arkitektët e anarkisë institucionale, është ofendim i inteligjencës së tij. Është sikur të përziash ujin me vajin dhe të presësh që të krijohet një substancë e qëndrueshme.

Importimi i Izolimit Ndërkombëtar

PSHDK gjithmonë është mburrur me orientimin e saj pro-perëndimor dhe lidhjet me familjet e partive popullore evropiane. Sot, lidershipi i saj, i prirë nga z. Morina, po zgjedh të bëhet patericë e një pushteti që i solli Kosovës sanksione nga Bashkimi Evropian dhe ftohje historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky koalicion nuk e "zbut" LVV-në; ai vetëm sa e komprometon PSHDK-në. Duke u bërë pjesë e këtij blloku, PSHDK bëhet bashkëfajtore në bllokimin e fondeve për shtetin tonë dhe në politikat e ngërçeve që kanë izoluar Kosovën. A është ky vizioni demokristian? Të rreshtohesh me ata që nuk i lanë asnjë mik Kosovës "për be"?

Përmbysje e Demokracisë së Brendshme

Ajo që e bën këtë situatë edhe më skandaloze është mënyra se si është marrë ky vendim. Z. Zef Morina, si Kryetar, po merr vendime strategjike për fatin e partisë i rrethuar nga një Kryesi Qëndrore që e ka zgjedhur vetë, duke anashkaluar totalisht bazën, anëtarësinë dhe elektoratin besnik.

Kush e ka dhënë mandatin për këtë vetëvrasje politike? Elektorati demokristian nuk është një turmë që ndjek urdhrat qorrazi. Ata presin përfaqësim dinjitoz të vlerave të tyre, jo shkrirje në një subjekt që po rrëshqet drejt kontrollit totalitar dhe abuzimit me fondet shtetërore.

Shtrohet pyetja legjitime: Kush do të votojë LVV nga demokristianët? Përgjigja është askush. Votuesi tradicional do ta shohë këtë si tradhti dhe do të refuzojë të bëhet pjesë e këtij eksperimenti të dështuar.

Nuk ka mbetur shumë për të thënë, sepse veprat flasin vetë. Është turp të ngatërrohen vlerat fisnike demokristiane me metodat dhe ideologjinë e majtë ekstreme. Kjo nuk është politikë; ky është pazar. Dhe në këtë pazar, çmimi është shkatërrimi përfundimtar i PSHDK-së si subjekt relevant.

Z. Morina, kjo analizë, është pasqyrë e realitetit që ju refuzoni ta shihni. Duke i dhënë dorën atyre që luftuan institucionet, ju po ia lëshoni grushtin e fundit shtëpisë tuaj politike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".