Në prag të zgjedhjeve nacionale, çfarë do të thonë partitë politike?!

Në prag të zgjedhjeve nacionale, çfarë do të thonë partitë politike?!
Në prag të zgjedhjeve nacionale, çfarë do të thonë partitë politike?!

Ismail Muçiqi

  • 01 December 2025 - 14:41

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi

Na ka lodhur politika. Na ka lodhur retorika, folklorizmi, pseudopatriotizmi, liderizmi, familjarizmi, bajraktarizmi, nepotizmi e çka jo tjetër?. Subjektet politike, të cilat prej pasluftës bëjnë rotacion me të njëjtat figura udhëheqëse, me të njëjtat klane politike dhe me të njëjtat struktura familjare e farefisnore, vështirë se kanë diçka të re për t’i ofruar elektoratit Kosovar në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor. Po i shpalosim vetëm disa nga pikëpamjet tona nga analizat gazetareske dhe publicistike, të cilat besoj se duhet të jenë udhërrëfyes dhe platformë e programeve politike të partive që garojnë për Parlamentin e Kosovës. Koha ka treguar se fushatat elektorale kanë qenë një eufori premtimesh boshe, të cilat qytetarët e Kosovës nuk i besojnë më. Duke u bazuar në gjendjen aktuale dhe rrethanat politike e gjeostrategjike, partitë politike duhet patjetër të ndërtojnë një platformë politike nacionale për të forcuar kauzën e shtetit dhe integritetin e sovranitetin e Republikës. Përmes kësaj platforme, partitë kanë detyrë dhe mision të mbrojnë sistemin kushtetues, të kultivojnë normat demokratike dhe të garantojnë mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit. Po ashtu, partitë politike duhet të punojnë seriozisht në konsolidimin e institucioneve të pavarura, të cilat gjatë periudhës së kaluar shpesh janë përfolur për mungesë të qëndrueshmërisë në zbatimin e kushtetutës, ligjeve dhe normave juridike. Në këtë drejtim duhet kuptuar se nuk ka institucione të pavarura plotësisht e të cilat synojn të jenë mbi shtetin. Partitë politike duhet t’i bindin qytetarët se do ta luftojnë nepotizmin, që është shndërruar në kancer të shoqërisë. Qytetarëve duhet t’u ofrohen programe zhvillimore dhe ekonomike, përmes të cilave jeta e tyre të përmirësohet gradualisht. Kjo mund të arrihet vetëm duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar – dukuri që prej vitesh janë bërë barrë e rëndë për shoqërinë Kosovare. Nuk ka dyshim se qytetarët prej vitesh po dëmtohen nga padrejtësitë e strukturave politiko-ekonomike e biznesore, të cilat përmes formave me abuzive janë shndërruar në klasë të aristokracisë. Partitë mund t’i joshin qytetarët vetëm përmes programeve bindëse, të garantuara dhe të realizueshme, duke dëshmuar se do të punojnë për përmirësimin e pozitës ekonomiko-sociale të pjesës dërrmuese të popullit. Ka ardhur koha që në këto zgjedhje – të cilat janë bërë të lodhshme dhe barrë për qytetarët – të mbizotërojë vetëdija qytetare që, përmes votës së lirë, të largohen antivlerat dhe figurat e dështuara që kanë uzurpuar Parlamentin e Kosovës dhe institucionet e tjera të shtetit. Mendojmë se kësaj radhe retorikat e vjetra se kush është patriot e kush tradhtar, kush është “pro Kosovë” ose “kush eshte me Serbin”?!, nuk do të kenë më efekt. Qytetarët janë ngopur me aventurat dhe eksperimentet e politikanëve, e këtë më së miri e tregoi rasti i moskonstituimit të Parlamentit të Kosovës, që e solli shtetin në një krizë serioze për shkak të inateve, luftës për pushtet, interesave karrieriste dhe veprimeve që rrezikuan funksionimin e shtetit. Andaj në fund mendoj se prioritet mbi prioritete shoqërisë Kosovare i duhet uniteti parimorë i cili është luhatur nga këto struktura politike e partiake të cilat janë konsumuar, e të cilat kanë shumë mëkate ndaj popullit. Këtë e kërkon populli…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".