A KA FARE KLASË INTELEKTUALE KOSOVA?!
Ismail Muçiqi
Shkruan: gazetari Ismail Muçiqi.
Po jetojmë në një kohë – një epokë – në të cilën antivlerat në të gjitha sferat e jetës kanë zënë rrënjë dhe kanë depërtuar thellë në institucionet e shtetit. Kjo gjendje, në radhë të parë, ka ardhur si pasojë e partive politike dhe strukturave të parapolitikës, të cilat kanë marrë në dorë fatin e shtetit, duke degraduar dhe shkelur kulturën tradicionale të Kombit Shqiptar. Kjo po ndodh në Kosovën tonë të dashur, ku pseudoanalistë, njerëz të portaleve të mahallës, të ashtuquajtur “gazetarë” pa asnjë CV profesionale, të lidhur me klane të ndryshme të mafisë biznesore, po e rrënojnë përditë e më shumë funksionimin e shtetit të Kosovës. Kjo dukuri e shëmtuar ka nisur prej vitesh përmes ekraneve televizive dhe platformave të vetëshpallura si gazeta apo portale, të cilat nuk i lexon askush, por që vazhdojnë t’i maltretojnë qytetarët me shpifje dhe insinuata nga më të ulëtat, që nuk i bëjnë nder askujt.
Shtrohet pyetja thelbësore: “Ku janë intelektualët e Kosovës?”
Duhet theksuar se dikur, para luftës, klasa intelektuale në Kosovë ishte bartëse e proceseve dhe iniciativave që çonin drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës. Edhe në kohën kur pushteti serb sundonte në Kosovë, intelektualët nuk heshtën: organizuan protesta, demonstrata, peticione dhe forma të tjera rezistence për të mbrojtur lirinë e Kosovës dhe vlerat e saj kombëtare.
Sot shtrohet pyetja tjetër: pse heshtin këta intelektualë?
Pse kanë rënë, si të thuash, në “gjumë dimëror”, në një kohë kur politika në Kosovë është shndërruar në kaos, kur struktura dhe klane të ndryshme vazhdimisht lansojnë propagandë të mbushur me insinuata, shpifje, denigrime, fyerje, nxitje tensionesh, e deri te zilia dhe sadizmi patologjik? Është shqetësuese të theksohet se një listë tashmë e njohur e pseudoanalistëve dhe gazetarëve të portaleve, përmes debateve të gërditshme televizive, kanë shkelur të gjitha kodet etike, morale dhe njerëzore, duke përdorur gjuhën e banalitetit kundër institucioneve të shtetit të Kosovës. Pavarësisht se kush qëndron në krye të Republikës, çdo shpifje, fyerje apo akuzë e pavend ndaj udhëheqësisë që ka dalë nga vota e popullit është njollosje dhe goditje e drejtpërdrejtë e imazhit të shtetit të Kosovës, shtet në të cilin kemi lindur, jetojmë dhe do të vdesim. Është turp dhe mjerim shoqëror të fyesh Presidentin apo Presidenten, pavarësisht se kush është aktualisht në atë pozitë, apo Kryeministrin e vendit. Një shtresë që përbuz dhe njollos përmes shpifjeve përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, në fakt fyen dhe njollos vetë popullin e Kosovës. Kjo kategori pseudointelektualësh dhe pseudogazetarësh duket se nuk është e vetëdijshme se lufta propagandistike dhe speciale kundër Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti vetëm sa po e rrit besimin dhe përkrahjen e qytetarëve, të cilët dinë shumë mirë të mendojnë dhe të gjykojnë se kujt duhet t’ia dhene votën. Në fund, duhet thënë qartë: populli Shqiptar i Kosovës ka vuajtur dhe ka kontribuar shumë për t’i rritur, edukuar dhe shkolluar bijtë e këtij vendi, me qëllim që ata t’i dalin zot shtetit, duke vënë në shërbim potencialin intelektual, arsimor, politik dhe shkencor për të mbrojtur vlerat sublime që janë ruajtur historikisht me sakrificë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
