LIGJI AMERIKAN E MBYTI 'BOTËN SERBE'!
Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi.
Lajmi nga Shtëpia e Bardhë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aprovuar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare paraqet një nga vendimet më të rëndësishme strategjike që një president Amerikan ka nënshkruar në vitet e fundit. Ky vendim ka gëzuar shtetet dhe popujt liridashës të Evropës dhe Ballkanit, ndërsa në anën tjetër ua ka shuar ambiciet rezolutave, memorandumeve dhe projekteve të ashtuquajtura të “Botës Serbe”, në krye me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić. Ky zhvillim përbën një goditje serioze për politikën hegjemoniste serbe dhe njëkohësisht duhet t’i hapë rrugë forcimit të strategjisë së mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Asnjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, qytetarët Shqiptarë nuk kanë qenë plotësisht të qetë dhe të sigurt nga propaganda agresive e Serbisë, e cila në vazhdimësi ka punuar kundër ekzistimit të shtetit të Kosovës, kundër stabilitetit dhe sigurisë, duke krijuar situata të tensionuara përmes grupeve kriminale të instaluara në pjesën veriore të vendit. Është me rëndësi të theksohet se Serbia, kohëve të fundit, ka marrë tri goditje serioze nga Perëndimi – nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – të cilat e kanë tronditur politikën zyrtare dhe opinionin publik serb. Goditja e parë ishte anulimi i marrëveshjes për blerjen e objektit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe në Beograd, një marrëveshje e lidhur me dhëndrin e ish-presidentit Trump. Me këtë akt u shuan edhe shpresat e Vučićit dhe të qeverisë së tij se përmes këtij pazari do të siguronin simpati dhe mbështetje politike në favor te serbise e ne dëm të interesave të Kosovës. Goditja e dytë erdhi nga Parlamenti Evropian, me mos-hapjen e kapitujve për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa goditja e tretë, padyshim më e dhimbshmja, ishte vendosja e sanksioneve ndaj industrisë së naftës serbe. Se politika destruktive e Serbisë po zbulohet gjithnjë e më shumë, e dëshmon edhe deklarata e deputetit serb Petar Bošković në Kuvendin e Serbisë, i cili foli haptazi për rolin e Aleksandar Vučićit në sulmin terrorist në Banjskë. “Ai deklaroi se Vučić kishte kërkuar ndihmën e KFOR-it për t’i hapur rrugë shpëtimit të Milan Radoičićit, me qëllim që të mos vritej nga Shqiptarët gjatë operacionit”. Sipas tij, në skenarin e sulmit ishin të përfshirë bijen serbe edhe struktura të larta të sigurisë serbe, përfshirë ish-drejtorë të policisë dhe ushtrisë. Fakti që Serbia ka rritur buxhetin ushtarak tri herë më shumë, dëshmon qartë për qëllimet e saj subversive ndaj Kosovës. Po ashtu, në disa institute ndërkombëtare të sigurisë është bërë e ditur se shërbime të huaja serbe, ruse dhe kineze janë të angazhuara në përpjekje për destabilizimin e Kosovës.
Ku jemi ne, Shqiptarët?
Derisa faktori serb në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë vepron i koordinuar dhe i bindur ndaj Beogradit, tek Shqiptarët fatkeqësisht situata është e kundërt. Shqipëria, si shtet amë, mban një pjesë të përgjegjësisë, pasi politika dhe udhëheqja e saj prej vitesh kanë humbur ndjeshmërinë kombëtare, shpesh duke kalkuluar në kurriz të Shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike dhe që ende nuk e kanë zgjidhur çështjen kombëtare. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të hartojnë dhe të zbatojnë një strategji gjithëpërfshirëse të mbrojtjes dhe sigurisë. Kosova duhet sa më parë të miratojë ligjin për mobilizim, një vendim që në rrethanat aktuale është imperativ i kohës. Ngritja e kapaciteteve ushtarake – armatimi modern, dronët, fabrika e municionit, infrastruktura ushtarake – si dhe zgjerimi i bashkëpunimit me shtetet mike si Kroacia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të thellohet edhe më tej. Po ashtu, shkollimi dhe aftësimi i kuadrove ushtarake duhet të përshpejtohet. Shfrytëzimi i potencialit profesional është i domosdoshëm, duke përfshirë edhe ish-eprorë të shkolluar në akademitë ushtarake, si Ramadan Qehaja, Kadri Kastrati, Hajrullah Ternava dhe shumë të tjerë. Ata mund të angazhohen në një institut këshillues të Forcave të Armatosura të Kosovës, pranë kabinetit të Presidentes dhe Kryeministrit, duke kontribuar me dijen dhe përvojën e tyre në ndërtimin e doktrinës ushtarake. Në fund, duhet theksuar se Kosova dhe populli i saj janë me fat që Qeveria Amerikane dhe presidenti Trump e kanë vulosur qartë qëndrimin se Kosova është interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë lojë me kufijtë: Kosova është shtet sovran dhe me integritet territorial, me perspektivë të qartë drejt anëtarësimit në NATO. Kjo, megjithatë, varet edhe nga ne Shqiptarët – nga vetëdija jonë, qasja jonë dhe përkushtimi ndaj atdheut.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
