Zeqiraj: Ukë Rugova në shënjestrën e armiqve të babës!
Idriz Zeqiraj
Nga IDRIZ ZEQIRAJ
Normalisht, Dr. Ibrahim Rugova me sjelljen njerëzore dhe morale supreme që kishte, nuk duhej të kishte armiq personal. "Askujt dreq me gojë nuk i ka thënë",-siç shprehet populli. Dalja për zot Atdheut-Kosovë, e përballi me pushtuesin shekullor serb. Kundërshtia e Tij, me fjalë e veprime të mençura, godiste si me topa.
Edhe pa ushtri, polici zyrtare e gjyqësi shtetërore, diciplinoi popullin e tij, duke e këshilluar dhe shpresuar se koha punon për shqiptarë dhe Kosovën, ditë të mira do të vijnë edhe për popullin tonë të shumëvuajtur.
Pushtuesi ishte i hershëm në planet e tij ogurëzeza. Argatët e tij shqipfolës akuzonin dhe koordinonin intriga e kurthe kundër udhëheqësit shpirtëror, tashmë, President i Kosovës. Zërat shtoheshin: "Duam luftë",- çirreshin ata. Por, kur filluan krismat, hileqarët ishin larg frontit!
Aleati i dorë së parë sugjeroi, më saktë, ultimatoi Presidentin Rugova: "Luftën duhet ta fillojë e para Serbia. Pëndryshe, çdo thyerje e kësaj porosie rrugë të mbarë pa Amerikën!" Kjo ishte porosi e brendshme, andaj kundërshtarët politikë vazhdonin kritikat dhe intrigat - njëherësh.
Pushtetin moral përgjatë një dekade para lufte, Presidenti Rugova e shtoi me pushtetin faktik fizik pas luftës. Disa "biçim komandantësh", të cilët mrizonin në "Bllokun e Zi" të Tiranës, gjatë luftës, tani, pas luftës donin pushtetin përdhunshëm e përgjakshëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë, gjatë pas luftës, ishin tmerr dhe terror. Në shënjestrën vrastare ishin oficerët luftëbërës të FARK-u të Ibrahim Rugovës: veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së; gazetarët dhe korrespondentët e luftës; por, edhe brenda llojit, veprimtarë të hershëm të LPK-së, për të shmangur konkurrencën pushtetare të pritshme në Kosovën e lirë!
Autoriteti i Presidentit Rugova nuk u zbeh as nga tam-tamet agjitative se "ne, UÇK-ja e çliruam Kosovën, as akuza "tradhtar", siç bëri presidenti shqiptar Mejdani dhe e përsëriti zëdhënësi i UÇK-së në televizionin shqiptar!
Pasi dështoi propaganda lehaqene agjitative, banda e "komandantëve" vrasës, vendosi eliminimin fizik të Presidentit.
Kryetari i LDK-së të Rugovës, komandanti i UÇK-së të Rugovës dhe deputeti i Kosovës, Smajl Hajdaraj, përmes vëllait të tij, Fazliut, në Gjermani, na kërkoi blerjen e një veture të blinduar, sepse "jeta e Presidentit Rugova është në rrezik". Një grup mërgimtarësh, me dominim rugovas, u organizuam, duke dhënë nga 1.000 marka, ndonjë biznismen edhe më shumë, dhe në kohë rekorde u plotësua kërkesa.
Njëri nga atentatorët dëshmon: "Po të mos ishte makina e blinduar, makina normale do të fluturonte në ajër, së bashku me Rugovën".
Askush nuk u muar me tentim vrasjesn e Presidentit! Drejtësia ishte dhe mbeti peng e komandantëve pushtetarë. "Dashti Zoti dhe shpëtova edhe kësaj here",- tha Dr. Rugova asaj dite të takimit me sekretarin Solana. Dihen me emër e mbiemër organizatorët dhe tre pjesëtarët e telekomandës të tritolit shpërthyes. Dy syresh, në vazhdim të karrierës, janë kandidatë për deputetë!
Rasti Ukë Rugova:
Nënë Lezja e Luigj Gurakuqit e pyeti atë; pse nuk po martohej! Gurakuqi ynë qe përgjigjur: "Nuk dua t`ua lë fëmijvë të mi mërinë, urrejtjen e armiqve të mi". Dhe, pengu ynë i madh është se Gurakuqi nuk na la trashëgimtarë. Keqardhje e dhimbje shpirti!
Përkundrazi, Presidenti Rugova la dy djem dhe një vajzë, së bashku me nënën e tyre fisnike dhe dinjitare - Fane Rugova. Politikanë të pafisëm, rrugaçë e kriminelë, për ta denigruar figuren madhore të Presidentit Rugova, sajuan skandalin për çështje të vizave, edhe pse tregtia e vizave ka qenë masive dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi. Gjthçka është e kurdisur nga pushtetarë të lartë, personat e ofruar, profiterët zyrtarë.
Qëllimi ishte denigrimi i Presidentit Rugova, ngritja artificiale e ndonjë figure zëvendësuese, me emërtesa "komandant", "kryekomandant", "komandant suprem", ndërkohë që, atëbotë, nuk kishte as batalione, as brigada ushtarake, pa të cilat njëssi nuk ka as komandantë!
Nuk u mjaftuan me Ukë Rugovën, për të cilin u sajua dosje e falsifikuar dhe u mbajt peng, pa guxuar ta shpallin të pafajshëm, pikërisht, nga zyrtarët e lartë, të cilët e kishin gatuar këtë "çorbë të thartuar". Më në fund u gjend edhe momenti i deklarimit të pafajësisë.
Komandantët pushtetarë, ngulmues në poshtërsinë e tyre. Ata iu turrën vajzës engjellore, Teutë Rugova! U përzgjodhë të votojë, përkundër përcaktimit të partisë të saj, LDK-së, për të dhënë votën për qeverinë e AAK-së! Nën shantazhin kriminal, kushtëzuar me ndëshkimin, dënimin e të vëllait, Ukës, nëse refuzon votën për qeverinë e arnuar edhe me deputetë të "Lista Serbe"!
Analoge me shantazhimin kriminal, që ka përdorur edhe PDK-ja, qysh në kohë lufte, ndaj të burgosurit politik dhe gazetarit të "Bota sot", Shefqet Jashari Strofci: "Ose hesht, mos shkruaj, ose ta vrasim djalin e hasretit"! I njëjti shantazh është përdorur edhe ndaj Jashar Salihit, për ta grabitur Fondin "Vendlindja thërret". Së fundi, për shantazh e kërcënim ose "tërhiqu nga dëshmia në Gjykatën e Hagës, ose ta vrasim djalin e hasretit", po përballën Hashim Thaçi me dostat e tij kriminelë.
Ukë Rugova - është përzgjedhur kandidat për deputet në listën e LDK-së me numër 10. Në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova; në ngushëllim dhe lehtësim për vuajtjen fizike, psikologjike e shpirtërore, të pamerituar të Ukë Rugovës dhe të Familjes Simbol Rugova, është në nderin e anëtarësisë dhe të elektoratit rugovian, të dhurojnë votën e tyre fisnike.
Kjo votë do të ishte konfirmuese e një besimi dhe respekti, për të gjithë shqiptarët vendorë dhe botërorë, të cilët nderojnë shtet formuesin dhe shtet ndërtuesin e Kosovës tonë bashkëkohore.
