
Lexoni edhe:
Mulliqi: Qeveria Kurti bëri shumë gjëra të mira gjatë mandatit duke avancuar proceset zhvillimore shoqërore dhe politike
Shkruan: ANALISTI-Gëzim Mekuli
(Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës)
Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje me së pakut 50 për qind nuk është një rezultat i zakonshëm zgjedhor. Kjo fitore është shprehje e një kthesë së thellë në vetëdijen politike të qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Kjo fitore nuk flet vetëm për një parti, por për një komb, për një shoqëri që ka vendosur t'i vë dryrin një kapitulli të stërgjatë të politikës së pazareve, frikës, korrupsionit, propagandës dhe nënshtrimit.
-Qytetari shqiptar i Kosovës ka dhënë një porosi të qartë: shteti nuk mund të vazhdojë të qeveriset si pronë private e disa klaneve të dyshimta politike.
Mandati i fuqishëm i Vetëvendosjes e bën të mundur atë që për dekada është premtuar e që është realizuar vetëm në Qeverinë Kurti: shtrirjen reale të sovranitetit në veri të Kosovës, vendosjen e rendit ligjor në zona ku për dekada ka sunduar kontrabanda, frika dhe struktura paralele e Serbisë. Kjo nënkupton më shumë siguri, më shumë drejtësi dhe më pak privilegje për të fortët.
Në raport me Serbinë, ky mandat e forcon pozitën e Kosovës për një dialog që bazohet në parime, jo në nënshtrim. Populli ka votuar që Kosova të flasë me zë të barabartë dhe me dinjitet, jo me gjuhën e kompromisit të njëanshëm në favor të «Serbisë së Madhe.»
Qeveria Kurti III nënkupton mbrojtje të trashëgimisë kulturore, të gjuhës shqipe dhe të historisë të bazuar në shkencë, pa relativizime, pa mimikri kulturore dhe pa imponime identitare artificiale: «komb kosovar». Kjo krijon siguri kulturore dhe kohezion kombëtar.
Fundi i korrupsionit «industrial»
Një nga arsyet kryesore pse kjo fitore është kaq e thellë lidhet me stërlodhjen e qytetarëve nga ajo që ata vetë e quajnë korrupsion industrial; korrupsion i organizuar, i trashëguar dhe i mbrojtur politikisht. Për dekada, populli ka parë politikanë që pasuroheshin marramendshëm, ndërsa vetë mezi mbyllnin muajin.
Ligje si «antimafia» dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk janë më thjesht premtime. Ato janë kërkesë popullore. Pyetja që shqiptarët bëjnë sot është e thjeshtë: pse partitë opozitare i frikësohen këtyre ligjeve? Çfarë kanë për të humbur?
Humbja e thellë dhe e pritshme e opozitës nuk është aksident. Ajo ka rrënjë të thella në vendime që shqiptarët e Kosovës i kanë përjetuar si plagë kombëtare;
- Gjykata Speciale dhe arkitektura politike që e prodhoi atë, pa reflektim e pa distancim nga ata që e sponzorizuan, është parë nga një pjesë e madhe e opinionit publik si sakrifikim i historisë së luftës çlirimtare dhe i dinjitetit kombëtar për interesa të ngushta personale politike dhe ekonomike.
- Po ashtu, Zajednica një-etnike, e pranuar «me lepe peke» nga elita e moçme politike, mbetet në vetëdijen e shqiptarëve si projekt fashist që cenon sovranitetin e brendshëm të shtetit dhe hapë derë për ndarje etnike në dëmë të Republikës.
- Edhe rasti i demarkacionit me Malin e Zi, i lidhur me qeverisjen e Ramush Haradinajt, vazhdon të perceptohet si falje territori, sepse kurrë nuk pati reflektim serioz e bindës ndaj qytetarëve të Kosovës.
Por ajo që e thelloi më shumë hendekun mes opozitës dhe qytetarit ishte retorika e pistë publike. Në vend të programeve, u përdorën etiketime. Në vend të argumenteve, u përdoren propaganda dhe gënjeshtra. Në vend të vizionit, fyerje, nënçmime, ofendime e manipulime.
Kur njerëz të opozitës përdorën gjuhë që i ngjante më shumë fjalorit të Kuvendit të Serbisë sesa debatit demokratik shqiptar; duke etiketuar kryeministrin si «argat të Serbisë», «shërbëtor të Serbisë» apo «punëtor i Serbisë», qytetari shqiptar e përjetoi këtë si poshtërim të vetë votës së tij, dinjitetit të tij, familjes së tij. Kritikën shqiptari ta falë por, përbuzjen dhe poshtërimin kombëtar, kurrë jo.
Deklarata publike që relativizuan Listën Serbe, apo fyerjet ndaj grave shqiptare nga figura të njohura politike, u panë jo si lapsuse, por si shenjë e një kulture politike dhe i një mentaliteti primitiv mesjetar që e ka humbur lidhjen me realitetin e sotëm shqiptar; po poshtërohej nëna dhe gruaja shqiptare si në kohën e Millosheviqit. E kjo nuk kalon dot! E kjo edhe u vërtetua dhe do të vërtetohet edhe në të ardhmen.
Mediat dhe analistët, zëdhënës të Beogradit
Një rol të veçantë në këtë humbje e patën edhe mediat dhe analistët, të cilët për vite ushqyen frikë, panikë, dhunë dhe rrëfime apokaliptike. Në vend që të informonin, terrorizuan shqiptarin. Në vend që të analizojnë, propaganduan sikurse Göbelsi. Dhe populli e kuptoi se kush fliste në emër të interesit publik, pra në emër të popullit, dhe kush bënte zhurmë në emër të xhepit dhe interesit privat.
Ndryshimi po ndihet përtej Kosovës
Duhet të nënvizoj se ky ndryshim nuk do të mbetet vetëm në Kosovë. Kjo po ndihet tashmë edhe në Tiranë, Shkup dhe në gjithë hapësirën shqiptare. Porosia është e qartë: politika, publikja dhe shteti mund të bëhet edhe pa qenë i korruptuar, servile dhe e kapur nga Serbia. Politika mund të jetë e ndershme, e guximshme dhe në shërbim të popullit. Kjo u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e qytetarëve në votime me mbi 46%; edhe në shumicën e vendeve të BE-së (sikurse në Francë, Spanjë, Slloveni etj.), pjesëmarrja në zgjedhje parlamentare lëvizë pikërisht midis 40-60%, dhe pikërisht aty ndodhin ndryshimet më të mëdha politike, sepse voton elektorati aktiv, racional dhe i imirënformuar.
Kosova, për herë të parë pas shumë vitesh, ka hyrë në një epokë ku qytetari nuk kërkon më vetëm premtime, por kërkon llogari. Dhe kjo është arsyeja pse kjo fitore e Vetëvendosjes është kaq e fortë dhe humbja e opozitës kaq e thellë e kaq me marre.
Kjo fitore e «engjujve» kundër «dreqërve» e dëshmon se, më në fund, kombi shqiptar po bëhet komb politik dhe me vetëdije gjeo-poltitike ashtu siq e kërkon gjendja aktuale politke (ndër)kombëtare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".