Opozita e pagoj shtrenjt bllokimin e Parlamentit!
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi.
Zgjedhjet nacionale, të cilat më shumë i përngjanin një referendumi popullor sesa një gare klasike ndërmjet partive politike për pushtet, dëshmuan qartë se qytetarët e Kosovës janë më vigjilentë, më të vetëdijshëm, më të pjekur dhe më të përkushtuar për ta mbrojtur Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj. Nuk ka asnjë dyshim se një nga faktorët kryesorë të humbjes së disa subjekteve politike ishte obstruksioni institucional (bllokada) që zgjati plot nëntë muaj, duke pamundësuar konstituimin e Parlamentit të Kosovës.
Ajo që ndodhi më 28 dhjetor i befasoi jo vetëm qytetarët, por edhe të gjithë të ashtuquajturit vizionarë, analistë, pseudogazetarë, klane biznesore dhe televizione private, të cilat për muaj me radhë u shndërruan në një opozitë destruktive kundër proceseve demokratike dhe stabilitetit të brendshëm të shtetit. Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende jeton me iluzionin e kapitalit politik të Ibrahim Rugovës, pësoi dështim serioz për shkak të grupeve të caktuara brenda strukturave të saj, të shndërruara në klane interesash personale dhe grupore. Këto struktura, për vite me radhë, janë strehuar si deputetë në Parlamentin e Kosovës, pa reflektim dhe pa vizion. Të thirresh në filozofinë politike të Ibrahim Rugovës, ndërsa në anën tjetër të refuzosh çdo ofertë bashkëpunimi apo marrëveshje politike, përbën vetëvrasje politike për një parti që dikur krenohej si institucionaliste. Në LDK prej kohësh veprojnë grupe individësh, të cilët nga karakteri i tyre politik më shumë i përngjajnë pulantëve politikë: dikur i duartrokisnin Ibrahim Rugovës, më pas Fatmir Sejdiut, ndërsa kulmin e demagogjisë e arritën gjatë kohës së Isa Mustafës, karriera e të cilit sot i përket vetëm arkivave politike.
Se populli di të gjykojë dhe të marrë vendime të drejta, u dëshmua edhe me rezultatin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ende nuk ka një lider të vërtetë. Ajo vazhdon të udhëhiqet nga 3–4 “bajraktarë”, por pa një zot shtëpie politik. Kjo parti nuk ka perspektivë reale përderisa brenda saj vazhdojnë të veprojnë strukturat e errëta të SHIK-ut. Është po ashtu interesante të theksohet se kryetarët e partive, të vetëquajtur liderë politikë, që nga paslufta e deri më sot janë konsumuar skajshmërisht në skenën politike, vazhdojnë ende të vrapojnë pas pushtetit, pa asnjë reflektim për dëmet që i kanë shkaktuar shtetit. Anomalia më e madhe politike ndodhi kur Ramush Haradinaj, me vetëm 6 deputetë, doli me deklaratë se është i gatshëm të marrë përgjegjësi për formimin e Qeverisë së Kosovës, duke injoruar plotësisht vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin referendar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave. Kjo mendësi e njerëzve të pangopur për pushtet po e mban peng të ardhmen e Republikës së Kosovës. Në të njëjtën mënyrë veproi edhe Fatmir Limaj, me të ashtuquajturën parti lokale, i cili më herët bllokoi konstituimin e Parlamentit me vetëm 4 deputetë, duke kërkuar postin e Kryetarit të Kuvendit. Kjo aventurë politike i kushtoi shtrenjtë, pasi sot është eliminuar tërësisht nga institucioni legjislativ. Në fund, duhet theksuar qartë se politika afatgjate nuk ndërtohet me klane familjare, farefisnore dhe krahinore, ashtu siç ka ndodhur për vite me radhë në disa subjekte politike, ku nga katër deputetë, tre rezultojnë të jenë familjarë – dajë e nipër. Ky është mjerimi që i ka ndodhur Republikës së Kosovës dhe sistemit zgjedhor për dekada me radhë. Tani e tutje qdo pengesë apo bllokadë e re që synon të sabotojë konstituimin e institucioneve shtetërore ka emër dhe mbiemër, të cilin populli duhet ta njohë, ta demaskojë dhe ta largojë nga skena politike, duke i braktisur sa më parë këta individë që janë shndërruar në barrë të rëndë për Kosovën.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
