Deshtimet e njepasnjeshme te komisionit zgjedhor!
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi.
Se me të vërtetë jemi një shoqëri me shumë të meta dhe me shumë dështime, nuk ka asnjë dyshim. Këtë e dëshmojnë edhe dështimet e shumta të institucioneve të pavarura, të cilat shpesh nuk tregojnë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj punës dhe misionit që u është besuar nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shndërruar në një nga institucionet më të dështuara, i cili, pothuajse sa herë që mbahen zgjedhjet në Kosovë, nuk arrin ta përmbyllë misionin e tij brenda një afati racional, ashtu siç veprojnë shtetet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës. Në këtë institucion ekzistojnë probleme të thella të brendshme në të gjitha aspektet, duke filluar nga politizimi i skajshëm i anëtarëve të KQZ-së e deri te mungesa e profesionalizmit të stafit administrativ, juridik dhe organizativ të këtij agjencie.
Në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, menduam se më në fund, pasi populli e dha provimin duke respektuar ligjin dhe obligimet kushtetuese për të votuar dhe për të krijuar institucionet e reja, Komisioni Zgjedhor do ta përmbushte detyrën e vet. Mirëpo, në këtë institucion dolën në shesh një varg lëshimesh dhe dështimesh, të cilat janë të pafalshme dhe që duhet të vlerësohen e të sanksionohen sipas ligjeve në fuqi. Në KQZ mungon vetëkritika dhe transparenca lidhur me organizimin e brendshëm dhe funksionimin e stafit operativ në kryerjen e obligimeve, duke filluar nga anëtarët e KQZ-së e deri te komisionerët dhe vëzhguesit, të cilët nuk janë në gjendje ta përfundojnë procesin zgjedhor brenda një afati të arsyeshëm. Është e turpshme paraqitja publike e zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, i cili del para mediave duke e keqinformuar opinionin dhe duke rënë në kundërshtim me deklaratat paraprake, të cilat i plasoi pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për dështimet e tij dhe të stafit ku punon. Në këtë institucion, prej kohësh është dashur të ndërmerren reforma radikale, duke angazhuar njerëz të rinj dhe profesionistë, të cilët janë në gjendje ta kryejnë misionin në mënyrë të ndershme dhe profesionale. Stafi aktual, i burokratizuar dhe i mbërthyer në pozita të larta pa meritokraci, ka dështuar në organizimin e zgjedhjeve, në numërimin e votave dhe në shpalljen e rezultateve. Kjo gjendje ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të këtij institucioni, çka ka sjellë edhe shpërthimin e aferave dhe dyshimeve serioze mbi saktësinë e numërimit të votave për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Gjendja e krijuar ndër vite në këtë institucion duhet të ndryshojë sa më parë, duke marrë masa konkrete për reformimin e plotë të tij, nga stafi teknik e deri te zyrtarët më të lartë, të cilët po e manipulojnë opinionin publik. Këto dështime, duke mos qenë në gjendje ta përfundojnë me kohë procesin e numërimit dhe certifikimit të votave, e kanë futur vendin në krize deri tek një situatë tejet dramatike. Hapja e sërishme e kutive të votimit dhe zvarritja e procesit të certifikimit po e pengojnë konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës. Të gjitha këto dobësi dhe lëshime po e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, njëkohësisht po ndikojnë në ngecjen e shumë proceseve jetike që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat duhet të votohen dhe të miratohen nga Kuvendi i Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
