
Lexoni edhe:
Mulliqi: Klani i Isa Mustafës si ndër rrënuesit të LDK-së e vazhdoi me Abdixhikun
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Vendimi i Kuvendit të Punës të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos pranuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku është i ligjshëm dhe demokratik. Si i tillë, ai duhet respektuar pa asnjë ekuivok. Megjithatë, përtej legjitimitetit formal, ky vendim hap një çështje shumë më të thellë: atë të përgjegjësisë institucionale dhe të ndërgjegjes politike të vetë partisë. Një shumicë e ngushtë në një parti me peshën historike dhe shtetformuese të LDK-së nuk përbën rehati politike, por kërkon reflektim serioz. Ky verdikt nuk mund të lexohet si miratim i plotë i kursit aktual, por si një mesazh i qartë se brenda partisë ekziston nevoja për rishikim të qasjes, të komunikimit dhe të funksionimit të brendshëm.
Mulliqi: Klani i Isa Mustafës si ndër rrënuesit të LDK-së e vazhdoi me Abdixhikun
Lexoni edhe:
-LDK nuk ka qenë kurrë thjesht një mekanizëm elektoral. Ajo ka qenë bartëse e një filozofie politike të moderuar, institucionale dhe qytetare. Prandaj, sfida e sotme nuk lidhet vetëm me drejtimin e përkohshëm të udhëheqjes, por me ruajtjen e koherencës ndërmjet identitetit historik të partisë dhe veprimit të saj aktual politik. Thirrjet për unitet janë të nevojshme, por uniteti nuk ndërtohet mbi formalizëm dhe as mbi heshtjen e kritikës. Ai ndërtohet përmes besimit, transparencës dhe një programi politik të besueshëm, që prodhon shpresë reale dhe jo vetëm deklarata. LDK ka nevojë për projekte konkrete, për vlera pune, për sinqeritet politik dhe për një angazhim që ndihet në terren e jo vetëm në sallat e kuvendeve.
Një nga rreziqet më serioze për partinë mbetet mbyllja brenda strukturave të saj formale. Vetëizolimi institucional e dobëson lidhjen me qytetarin dhe e varfëron debatin e brendshëm. Po aq i rëndësishëm është edhe raporti me të kaluarën: ajo duhet njohur dhe respektuar, jo si nostalgji, por si burim mësimi dhe orientimi për të ardhmen. Sfida kyçe e lidershipit aktual është ndërtimi i një ure të qëndrueshme mes tri gjeneratave të LDK-së: brezit themelues, brezit të mesëm dhe brezit të ri. Pa këtë vazhdimësi organike, çdo reformë mbetet e fragmentuar dhe e përkohshme. Lidershipi nuk matet vetëm me mandate, por me aftësinë për të bashkuar përvoja, energji dhe vizion.
Votëbesimi i fundit duhet kuptuar si fillim i një faze përgjegjësie të shtuar institucionale. Ai është një provë për pjekurinë politike të udhëheqjes dhe për aftësinë e LDK-së për të reflektuar mbi vetveten. Nëse kjo fazë shfrytëzohet për hapje reale, reformim të guximshëm dhe rikthim të besimit të brendshëm, partia mund të rifitojë rolin e saj historik. Në të kundërtën, rreziku i stagnimit mbetet i pranishëm. Çdo idhtar dhe votues i LDK-së duhet ta kuptojë këtë kritikë jo si kundërshtim, por si një thirrje politike dhe institucionale për përgjegjësi, e mbështetur në bindjen se kjo parti ka ende obligim ndaj vetvetes, ndaj anëtarësisë së saj dhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".