'Nuk duam turistë, turistë, turistë'. Pse Groenlanda vendos kufij të turizmit e Rama me shokë bërtet: 'shisni gjithçka'

'Nuk duam turistë, turistë, turistë'. Pse Groenlanda vendos kufij të turizmit e Rama me shokë bërtet: 'shisni gjithçka'
'Nuk duam turistë, turistë, turistë'. Pse Groenlanda vendos kufij të turizmit e Rama me shokë bërtet: 'shisni gjithçka'

Gezim Mekuli

  • 09 February 2026 - 14:48

Nga Gëzim Mekuli, Oslo
 

“Nuk duam të përfundojmë si Barcelona, Islanda apo Kopenhaga: turist, turist, turist.” Këto nuk janë fjalë të një aktivisti mjedisor, por të Najaa Nathanielsen, ministres së Groenlandës për ekonomi, burime natyrore, energji, drejtësi dhe barazi.

Në një kohë kur turizmi po shitet si zgjidhje universale për gjithçka, Groenlanda, ishulli më i madh në botë, me vetëm 57 mijë banorë, po bën pikërisht të kundërtën e asaj që po ndodh në Shqipëri: po vendos rregulla të forta për të mos u shkatërruar nga “suksesi i turizmit”.

“Së bashku kemi ndërtuar gjithçka që na duhet për t’u quajtur demokraci: universitetin tonë, parlamentin tonë, ligjet tona sociale, edhe pse jemi shumë, shumë pak,” thotë Nathanielsen. Dhe pikërisht sepse janë pak, thotë ajo, Groenlandezët nuk e kanë luksin të gabojnë.

Në fjalët e ministres theksohet qartë se Groenlanda ka zgjedhur të ndërtojë politika sipas nevojës së vendit, jo sipas oreksit të tregut. Ja për shembull peshkimi është 100 për qind në duart e vendasve. Për të operuar në turizëm, të paktën 60 për qind e kompanive duhet të jenë në pronësi të groenlandezëve. Anijet turistike nuk lejohen më të ankorohen në kryeqytetin Nuuk; turistët transportohen nga kompani lokale, në mënyrë që fitimi të mbetet në komunitet.

“Këtë e bëmë pasi pamë çfarë ndodhi në Islandë,” thotë ministrja. “Ata paralajmëruan për turizmin masiv dhe sot nuk e dinë as vetë se kush e zotëron industrinë turistike.”

Groenlanda veproi herët. Sepse e pa rrezikun, po shqipëria e Kosova?

Islanda, Norvegjia-Veriore dhe edhe Svalbard janë bërë shembuj paralajmërues për “mbiturizmin arktik”. Pikërisht për këtë arsye, Groenlanda zgjodhi të rregullojë përpara se të ishte vonë. Që banorët të mos lodhen nga turistët. Që natyra të mos kthehet në mall të konsumuar. Që bregdeti të mos betonohet. Që vendi të mbetet i jetueshëm për ata që jetojnë aty.

“Natyra duhet të mbetet e paprekur. Nuk duam hotele në shkretëtirë. Nuk duhet të mbetet asgjë pas nesh,” thotë një sipërmarrës turistik groenlandez. E kjo është filozofia e shtetit, apo jo?

Në Shqipëri, realiteti është i kundërt.

Turizmi nuk po rregullohet, po glorifikohet. Nuk po menaxhohet, por po shitet. Nuk po kontrollohet, po përdoret si propagandë. Dhe pasojat po shihen çdo ditë më qartë: beton në bregdet, ndërtime në zona të mbrojtura, lumenj të futur në tuba, pyje të zhdukura, male të shpuara, fauna dhe flora në zhdukje... Gjenocid natyror ndaj shtetit të vet; E pabesueshme. E tmershme. E dhimbshme. E pafalshme.

A mbaroj natyra e Shqipërisë? A e përshrkuan sot natyrën e Shqipërinë vargu i Naim Frashërit:

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!

Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!

Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!

Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,

O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

A i ka sot Shqipëria këto lumenjë të kulluar, kodra, brinja dhe pyje të gjelbëruara? Sa të bekuar janë vendëthit e sa turistët?

E pra, ndryshe nga Groenlanda, Shqipëria nuk vepron për të parandaluar turizmin masiv, por vetëm për të përshpejtuar.

Ndryshe nga Groenlanda, ku shteti analizon “sa mund të përballojë shoqëria groenlandeze?”, Tirana pyet vetëm “sa turistë më shumë mund të sjellim në Shqipërinë e shkretë?”. Pa analiza serioze të kapacitetit mbajtës. Pa dëgjuar qytetarët lokal. Pa marrë parasysh jetën e përditshme të banorëve. Dekadencë!

Kryeministri Edi dRama e ka vendosur turizmin në qendër të çdo komunikimi publik. Çdo profil i tij në facebook është një broshurë bajate reklamuese, ama sall për turistët dhe turizmin. Çdo sukses matet me numra vizitorësh të huaj. Shqipëria shfaqet si destinacion planetar për turizmin; por jo si vend ku jetohet.

Në këtë tregim të dRamës mungon njeriu shqiptar. Mungon peshkatari që humbi detin. Mungon fshatari që humbi ujin. Mungon qytetari që humbi hapësirën publike. Shqipëria po trajtohet si produkt, jo si atdhe i shqiptarëve. Sa e rëndë. Sa e kijametshme.

Dy mentalitete

Teksti norvegjez për Groenlandën tregon se edhe një shoqëri shumë e vogël mund të mendojë në mënyrë strategjike, të mbrojë interesin publik dhe të vendosë kufij përballë kapitalit dhe turizmit masiv.

Shqipëria po bën të kundërtën: po sillet sikur është bunarë i pafund; sikur natyra shqiptare nuk mbaron kurrë. Sa keq! Sa e poshtër!

Nëse Groenlanda, një nga ekosistemet e fundit të paprekura në botë, e kupton se turizmi pa rregulla është rrezik ekzistencial i kombit she shtetit, atëherë pyetja për Shqipërinë (dhe për Kosovën gjithsesi) është e thjeshtë dhe e rëndë: pse një shtet i vogël, një copë akulli, nëse e huazoj fjalen e Trump, diku në Arktik mbron vendin e vet me ligje, ndërsa Tirana po e harxhon Shqipërinë në emër të turizmit?

Konsekuent deri në fund: a ka intelektual ky vend, more? A ka rini ky shtet, ore? A ka krenari ky popull, hej? A ka media të pavarura Shqipëria, bre? A ka dinjitet ky popull, apo të gjitha këto po i zëvëndëson Bigbrother, luksi, butoksi, filleri, silikoni, operacionet plastike, dukja, shampanja, seksi, droga, rakia e lakmia....

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".