KONFERENCA E SIGURISË E MYNIHUT DHE RENDI BOTËROR!…

KONFERENCA E SIGURISË E MYNIHUT DHE RENDI BOTËROR!…
KONFERENCA E SIGURISË E MYNIHUT DHE RENDI BOTËROR!…

Ismail Muçiqi

  • 14 February 2026 - 16:49

Shkruan gazetari Ismail Muçiqi

Samiti i Mynihut, i mbajtur në Gjermani, ku morën pjesë kryeministra, presidentë dhe diplomatë nga e gjithë bota, dëshmoi se bota ndodhet në një udhëkryq më shumë se kurrë më parë. Nuk ka asnjë dyshim se siguria globale dhe paqja botërore po sfidohen dhe rrezikohen pothuajse në të gjitha anët e globit. Konferenca e Sigurisë e Mynihut nxori në pah faktin se rendi aktual ndërkombëtar është duke u tronditur seriozisht. Organizata e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht Këshilli i Sigurimit, gjithnjë e më shumë i përket historisë së së kaluarës, ndërsa bota e sotme po fragmentarizohet në sfera të interesit gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Këto zhvillime janë produkt i interesave të fuqive të mëdha botërore, të cilat kanë dalë nga boshti i ish-rendit botëror, duke shfaqur ambicie ekspansioniste për kontrollin dhe pushtimin e pasurive natyrore. Resurset ekonomike dhe pasuritë natyrore janë shndërruar në “mollë sherri”, ndërsa në plan të parë po vihen kapacitetet ushtarake teknologjike, deri edhe me kërcënime për përdorimin e armëve bërthamore. Të gjitha shtetet janë mobilizuar për t’u armatosur sa më shumë, duke shpenzuar miliarda dollarë për t’u mbrojtur nga rreziqet potenciale që po shfaqen gjithandej globit. Republika e Kosovës vazhdon të jetë e kërcënuar nga Serbia, e cila ende nuk është shkëputur nga pretendimet e saj hegjemoniste dhe fashiste për zgjerim territorial. Përballë këtyre rreziqeve, shoqëria jonë shpesh nuk arrin t’i kuptojë si duhet zhvillimet globale dhe të mendojë seriozisht për të ardhmen e vendit dhe të popullit. Klasa politike e Kosovës nuk ka arritur ende nivelin e nevojshëm të emancipimit dhe vetëdijes për të kuptuar se shqiptarët duhet të bashkohen dhe të mobilizohen për t’i bërë ballë çdo agresioni të mundshëm serb. Lufta për pushtet dhe bajraktarizmi politik, historikisht, i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme popullit, i cili gjithmonë e ka paguar çmimin më të lartë. Sot, në kohën kur pritet konstituimi i institucioneve të reja të shtetit të Kosovës, vazhdojnë të shfaqen tendenca destruktive nga grupe interesi, pseudoanalistë dhe pseudogazetarë, të rreshtuar në atë që njihet si “kolona e pestë”, me synim përçarjen e opinionit publik për interesa të ngushta financiare dhe politike. Pasi dështuan në prognozat elektorale dhe në sondazhe, këto grupe po e shfaqin fytyrën e tyre të vërtetë përmes mjeteve të ashtuquajtura të informimit, duke shprehur nervozë, duke krijuar eksese dhe duke larë hesape edhe para ekraneve televizive. Andaj, është momenti i fundit që qytetarët të vetëdijesohen, të ruajnë unitetin dhe të jenë të gatshëm ta mbrojnë pavarësinë e vendit, duke lënë anash të gjitha këto tendenca destruktive, të cilat tashmë janë bërë të neveritshme për të gjitha shtresat e shoqërisë. Në fund po theksojmë se dështimi eventual për mos zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës do të jetë veprimi më fatal politik për të ardhmen e Shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".