Besueshmëria e Vjosës, ndryshoi qasjen e botës vendimmarrëse për Kosovën
Idriz Zeqiraj
Nga IDRIZ ZEQIRAJ
Para një ngjarjeje të shënuar, siç është zgjedhja e presidentit/es së vendit, amatorë dhe specialistë të çështjeve politike japin propozime dhe bëjnë parashikime sipas analizave të tyre. Por kush i ka gjasat për ta merituar postin e kryetarit të shtetit, nganjëherë shfaq dilema objektive, sidomos kur kandidatët/et janë të një niveli apo të përafërt në simpati dhe meritokraci. Në rastin konkret, duke njohur kandidaturën e parë dhe provën e dhënë përgjatë mandatit të parë, nuk ka arsye për hamendje. Sepse Vjosa Osmani është objektivisht më e pranueshme për shqiptarët kudo që ndodhen.
Ndërkohë, kundërshti subjektive, edhe pse të pakta në numër, do të ketë. Presidentja aktuale, që besohet të jetë edhe në pritje të mandatit të dytë, për hir të parimeve të saj të palëkundura dhe duke qenë sovrane në qëndrimet e veta, nuk e mbështeti të ardhmen e saj në asnjë parti politike. Vetëm ky element, sado fisnik, bashkë me zilinë e tepruar të politikanëve partiakë, mund t’ia zvogëlojë gjasat për vazhdimin e mandatit të dytë. Kjo nuk do të ishte humbje personale, por humbje për shtetin e brishtë të Kosovës, në procesin e konsolidimit.
Edhe pse më lart trajtuam figurën dhe personalitetin shumëdimensional të presidentes Osmani, po bëjmë edhe disa plotësime. Historia ka dëshmuar se e ardhmja u përket reformatorëve. Të tilla janë binomi Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla, të cilat kanë hyrë natyrshëm në historinë më të re të Kosovës, me qëndresë dhe vendosmëri, për ta bërë ndryshimin e madh në Kosovën tonë, të lodhur nga krimi vrastar, hajnia zyrtare, haraçi, kontrabanda dhe i gjithë katalogu i veseve të një shoqërie të zënë fryme dhe me shpresë të bjerrur për një perspektivë të afërt. Prandaj, bazuar në opinionin tërësisht pozitiv, Vjosa Osmani është një uragan i papërballueshëm, madje nga kushdo qoftë, e pakonkurrencë.
Vendosmëria e kryeministrit Albin Kurti dhe e LVV-së së tij, me aleatët Guxo dhe Alternativa, për ta shtrirë sovranitetin “cep më cep” në veriun e Kosovës, ngjalli kundërshti dhe nervozizëm. Boshti Prishtinë–Tiranë–Beograd, përkatësisht Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq, thuhet se ishin pajtuar që veriu i Kosovës të trajtohej si “tokë e askujt”, sipas Ramës, ose që “Kosova t’i lihej Serbisë”, siç do ta përcillte në opinion porosinë e Thaçit këshilltari Baton Haxhiu.
Çmontimi i institucioneve paralele të Serbisë në veriun e Kosovës nga Qeveria Kurti nxiti reagimin koral të Serbisë, Rusisë, BE-së dhe disa ndërkombëtarëve të tjerë. Kësaj fushate ogurzezë iu bashkua edhe opozita kundërkombëtare e Kosovës, duke kërkuar kthimin e gjendjes në veri aty ku e kishte lënë shelegia e Hashimit, Edita Tahiri, mbi një dekadë më parë, kur deklaronte se me Thaçin po bëhej vetëm dialog teknik. Ndërkohë, i gjithë dialogu ishte politik dhe në favor të Serbisë. Sipas kësaj narrative, i shantazhuari me dosje penalizuese, Hashim Thaçi, i ishte dorëzuar Vuçiqit dhe Serbisë, me shpresën se do ta shpëtonin nga burgu i Hagës.
Lobistët e paguar proserbë, Christopher Hill dhe Richard Grenell, bënin punën e tyre në Amerikë. Me intrigimet e tyre në administratën amerikane, dialogu strategjik Kosovë–SHBA u pezullua. Një zyrtar amerikan e shënjestroi kryeministrin Kurti, duke e akuzuar për gjithçka. Opozita, e rreshtuar me Serbinë për çështjen e veriut, i gëzohej goditjes dhe priste shpalljen “non grata” të Kurtit nga DASH-i amerikan. Nga administrata u deklarua se e vetmja lidhje komunikuese që kishte mbetur mes SHBA-së dhe Kosovës ishte presidentja Vjosa Osmani.
Ndërkohë, presidentja Osmani realizoi disa vizita radhazi në Amerikë. Nga Shtëpia e Bardhë nisi një reagim ndryshe. Shefi i NATO-s, Rutte, do të shprehej se “Vjosa Osmani është presidentja ime e preferuar”. Takimi i presidentes Osmani në “Bordin e Paqes” me presidentin Donald Trump dhe pritja e veçantë e saj, e shoqëruar me një deklaratë dashamirësie: “E shihni këtë zonjë të ulur këtu para meje? Ajo meriton të gjithë respektin tonë, sepse po lufton dhe punon për mbrojtjen e atdheut të saj”. Ndonëse të njëjtën gjë ka bërë dhe vazhdon ta bëjë edhe Albin Kurti, tërthorazi ky mesazh vlente edhe për kryeministrin. Kështu, sipas këtij këndvështrimi, presidentja Osmani rehabilitoi njëkohësisht Kosovën dhe kryeministrin e saj.
Edhe pse ka pasur zëra, deklarata dhe përfolje për disa kandidatë të tjerë, ende nuk ka shpallje publike të kandidaturave të tjera për president/e të Republikës së Kosovës. Pra, në tavolinë mbetet kandidatura e vetme e presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Megjithatë, deri më tani asnjë subjekt politik apo grup deputetësh nuk është deklaruar për ta propozuar Vjosa Osmanin për presidente të vendit. Partia fituese, LVV, e cila ka parësinë e propozimit të kandidatit/es për president/e, është shprehur se ka disa procese urgjente për t’u përmbyllur dhe më pas do të vijë radha e zgjedhjes së presidentit/es. LVV, si parti e centralizuar, nuk praktikon deklarime individuale të paautorizuara, por i përmbahet deklaratës fillestare të liderit Kurti.
Kjo ka ngjallur dyshime nëse Kurti synon të kalkulojë me parti të tjera për dy arsye: së pari, për ta lehtësuar zgjedhjen e presidentit/es; së dyti, sepse ngritjen e mëtejme të figurës së Vjosa Osmanit mund ta shohë si konkurrencë serioze në perspektivë. Megjithatë, kalkulime të tilla, në këtë fazë të proceseve konsoliduese të shtetit të Kosovës, nuk i shërbejnë vendit.
Nuk dua të besoj se shqiptarët janë kaq bukëshkalë e të pafisëm, sa kjo opozitë destruktive, që të mos e shpërblejnë presidenten Vjosa Osmani për përgatitjen e saj të lartë intelektuale dhe kontributin unik, tashmë të provuar, në mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Në veçanti, për ripërtëritjen e lidhjeve dhe miqësive me qendrat ndërkombëtare të vendosjes, ashtu si dikur Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili mbetet figurë e pakrahasueshme në historinë tonë kombëtare, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
