Maloku: Vjosa Osmani në vijën e zjarrit; mbrojtëse e sovranitetit apo nxitëse e përçarjes?
Fadil Maloku
Shkruan; Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog
Çfarë do të ndodhë me Marrëveshjet e Brukselit dhe ato të Ohrit, tani kur në Kosovë është një qeveri me fuqi pothuajse absolute, si në ushtrimin e ndikimit të brendshëm politik, ashtu edhe me një përkrahje të konsiderueshme nga administrata e Donald Trump është një pyetje milionëshe në rrethanat aktuale.
Bazuar në analizën e përmbajtjes dhe metodologjinë e paralajmërimit të hershëm për “kaosin” global, duhet konstatuar se procesi i moszbatimit të këtyre marrëveshjeve nuk e rrezikon, as nuk e kërcënon drejtpërdrejt ekzistencën e shtetit të Kosovës, e as shfaqjen e ndonjë konflikti të ashpër të armatosur, por rrezikon ta ngadalësojë dukshëm si kapacitetin e afirmimit dhe të konsolidimit ndërkombëtar, ashtu edhe funksionalitetin e plotë të sovranitetit të Kosovës.
Shprehur me terminologjinë e sociologjisë politike, një situatë e tillë hipotetike është shumë më e prirur të “prodhojë” një model specifik të shtetësisë me sovranitet të lartë formal, por padyshim të cunguar, sesa ndonjë konfrontim frontal me Serbinë. Model ky që edhe aktualisht është duke u “mirëmbajtur” nga ndërmjetësimi ndërkombëtar, e sidomos nga sponsorët tanë, Shtetet e Bashjuara të Amerikëe dhe disa miq evropianë.
Kështu që prania ndërkombëtare e sigurisë, ku NATO-ja me detyrimin e dalë dhe të bazuar në Rezolutën 1244, me misionin e saj në terren, tash për tash e pamundëson ndonjë “aventurë” apo ndërhyrje direkte ushtarake serbe ndaj sigurisë së Kosovës. Mirëpo, kur merren parasysh vlimet globale që po ndodhin rreth Iranit dhe luftës së intensifikuar në Ukrainë, si edhe paralajmërimet e kohëve të fundit që i bëri administrata e Trumpit për gjasat e reduktimit të trupave të NATO-s në Kosovë, kjo e ndryshon si formën ashtu edhe përmbajtjen e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por, kisha thënë, edhe në mbarë rajonin, madje edhe në kontinent.
Por, a mund të jetë reduktimi i trupave të NATO-s në Kosovë një inkurajim për ta rishqyrtuar Serbia planimetrinë dhe doktrinën e saj për ripushtim përmes një konflikti të hapur me Kosovën? Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që dihet është se kostoja gjeopolitike për Serbinë, në këto rikonfigurime të reja që ende nuk kanë marrë as formë e as përmbajtje të plotë, do të ishte e lartë: një konflikt i tillë do të dëmtonte dukshëm investimet perëndimore dhe do të krijonte pasiguri enorme për rajonin në raport me Bashkimin Europianë.
Thënë më ndryshe, moszbatimi i marrëveshjeve nuk prodhon domosdoshmërisht ndonjë konfrontim ushtarak, por krijon një stabilitet të rrejshëm dhe me pretendime pasigurie, ku tensioni në baza ditore me automatizëm vazhdon të shndërrohet në një alibi strukturore të politikës si për neve si Kosovë, ashtu edhe për Serbinë.
Por, cilat mund të jenë pasojat për Kosovën në rast të moszbatimit të këtyre marrëveshjeve, kur dihet qartas se kryeministri i sapozgjedhur po insiston që ato të mos zbatohen taksativisht, ashtu si po insiston Serbia?
Në ndërkohë, ky skenar me pamje apokaliptike për Kosovën duhet ndërlidhur edhe me takimin e sapombajtur të Bordit të Paqes në Uashington, ku Vjosa Osmani si presidente, nga pamjet e bëra tashmë publike, u pa qartë se si Edi Rama me lajkat e tij hipokrite që i “lansonte” nga pozicioni patronazhist, mundohej të krijonte imazhin dhe përshtypjen e një “kujdestari patriot”, sidomos kur u bënte se “avokonte” te Trump për lirimin e katër liderëve që po gjykohen në Hagë!?
Vjosa Osmani nuk duhet të bjerë në kurthet dhe hipokrizinë lajkatare të Edi Ramës në takimin e Bordit të Paqes për kinse një “aleancë transatlantike”, ku më pas ai vetë mori pjesë bashkë edhe me një pjesëmarrëse serbe. Kurthi i radhës, sipas këtij interpretimi, është që Vjosa të vihet në armiqësi me kryeministrin Albin Kurti dhe të vazhdojë episodi i fragmentimit politik të Kosovës përmes riafirmimit dhe realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, ku Asociacioni, si një “kalë Troje”, do t’i paraprinte skenarit të etablimit edhe de jure të një “Republika Srpska” në Kosovë.
Pasojat në planin e brendshëm që mund t’i pësojë Kosova, në rast të një rivaliteti të thelluar midis Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në këto rrethana ende tensionuese, do të mund të ripërtërinin një ngërç të panevojshëm mes qeverisë, opozitës dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Një ngërç i tillë do të krijonte një klimë krize permanente legjitimiteti, të cilën vetëm Serbia do ta dëshironte.
Në anën tjetër, Vjosa Osmani dhe i gjithë spektri politik shqiptar në Kosovë duhet ta kuptojnë faktin se strategjia e refuzimit, që paraqitet si mbrojtje e sovranitetit, mund të krijojë kushte për një kapital të përkohshëm politik, por jo edhe potencial real për një izolim relativ afatgjatë. Si pasoja të mundshme mund të shfaqen: një presion shumë më i shtuar diplomatik, një status quo konfliktuale dhe sidomos një ngadalësim i theksuar i proceseve integruese. Ky presion, pa Vjosa Osmanin, e cila tashmë ka raporte të shkëlqyeshme me administratën Trump dhe me një kandidat tjetër potencial për postin e Presidencës, do të mund të na fuste në një rrugëtim të rrezikshëm si për sigurinë kombëtare, ashtu edhe atë shtetërore.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
