KU QËNDRON MORALI I DEPUTETIT?!…

KU QËNDRON MORALI I DEPUTETIT?!…
KU QËNDRON MORALI I DEPUTETIT?!…

Ismail Muçiqi

  • 02 April 2026 - 17:01

Shkruan Ismail Muçiqi.

Pas një polarizimi të skajshëm dhe obstruksioneve të partive politike, e në veçanti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Parlamenti i Kosoves më në fund sot mbajti mbledhje. Nuk ka dyshim se demokracia e avancuar bazohet në vlera, duke i dhënë mundësi njeriut normal që ta shprehë mendimin e lirë në institucionet relevante të shtetit. Por, mjerisht, është fatkeqësi për një shoqëri apo shtet kur klasa politike e paemancipuar dhe e paedukuar e rikthen demokracinë në anarki. Këtë e pamë edhe sot në mbledhjen e Parlamentit, në të cilën u miratua një numër marrëveshjesh ndërkombëtare, të cilat me muaj të tërë kishin mbetur të bllokuara për shkak të papërgjegjësisë totale të disa partive politike. Në mbledhjen e sotme pamë se partia në pushtet u bëri thirrje subjekteve tjera politike që të përafrohen dhe t’i lënë anash interesat personale e partiake për ta zgjedhur Presidentin/en e vendit.

Për fat të keq, Partia Demokratike edhe sot erdhi duke paraqitur kushte për një rezolutë kundër aferës së analistit dhe studiuesit – gazetarit Shkëlzen Gashi. Në mbledhjen e sotme, Lidhja Demokratike e Kosovës reflektoi pozitivisht duke marrë pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo parti tregoi se brenda saj ka figura të pjekura, të cilat kanë parime dhe janë të dobishme për vendin dhe demokracinë e një shteti normal. Nuk ka dyshim se deputetët e Lidhjes Demokratike në mbledhjen e sotme të Parlamentit i dhanë një bonus partisë dhe elektoratit të saj. Me thot mendja se miratimi i ligjit për themelimin e byrosë për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së paligjshme i ka vënë në lëvizje disa grupe të partive politike dhe individë të caktuar, përfshirë liderë të cilët janë përfolur me vite nga qytetarët për dyshime të bazuara mbi pasurinë e tyre. Këto grupe, tashmë të njohura, po bëjnë çmos që përmes obstruksioneve, bllokadave dhe tendencave të ndryshme destruktive të pamundësojnë funksionimin normal të Parlamentit dhe institucioneve tjera të shtetit, duke përdorur çdo mjet për të krijuar sa më shumë kaos dhe duke kërkuar zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Vetë fakti se para dy muajsh Kosova organizoi zgjedhje, ku populli përmes votës së lirë u tregoi këtyre partive se sa përkrahje kanë, tregon se këto të ashtuquajtura parti nuk janë në gjendje të kuptojnë se vota e popullit është zëri i Zotit. Andaj, vetëm ata që kanë hipoteka për të kaluarën e tyre – për mëkatet e tyre – janë ngritur kundër institucioneve të shtetit, duke dalë me kauza qesharake. Koha po tregon se skena politike (të ashtuquajtura parti politike) ka mbetur e pareformuar dhe e paemancipuar, me mendësinë e shekullit të kaluar. Ajo nuk është në gjendje të kuptojë se, pas 26 viteve në liri, vetëdija e gjeneratës së re ka ndryshuar rrënjësisht dhe se retorika dhe mendësia e folklorizmit patriotik për këtë gjeneratë i takojnë të kaluarës. Në fund, theksojmë se koha e miteve dhe e bajraktarëve të fiseve dhe krahinave ka kaluar që moti. Andaj, shpresat se me organizimin e zgjedhjeve të reja do të ndryshojë diçka në skenën politike janë iluzion që po i dëmton proceset në shtetin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".