
Lexoni edhe:
Oroshi: Shkëlzen Gashi si duket i përket kategorisë që e trajton historinë si debat televiziv
Shkruan: ANALISTI-Skender Mullqi
Patëm shumë reagime lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë, me autor OJQ-në Admivere, të udhëhequr nga ish-këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, Astrit Gashi. Derisa nga LVV thuhet se e gjitha është instrumentalizim kundër Qeverisë së Albin Kurtit, blloku opozitar dhe Natasha Kandiq e kritikuan këtë ekspozitë; pati edhe protesta nga OVL-UÇK, si të pasaktë, dhe disa thanë se është agjendë e Serbisë.
-Disa fjalë lidhur me mosinteresimin e pushteteve të pasluftës, që nuk patëm ekspozita për masakrat, të cilat do të ishin shumë të vlefshme për gjeneratën e re, të cilët pak dinë për luftën çlirimtare, sepse nuk e kanë përjetuar. Këta të rinj pak kanë njohuri, pos ndonjë rrëfimi apo leximi për gjenocidin serb në Kosovë. Është mirë kur dokumentohet diçka e jo vetëm kur dëgjohet ndonjë rrëfim nga dikush për luftën. Kjo e humb ndjenjën e kombëtarizmit. Kurrë deri më sot nuk patëm ndonjë libër serioz të dokumentuar me fakte relevante për viktimat e luftës në Kosovë! Shumë e çuditshme kjo dhe është temë për diskutim. Nuk u bë asnjë hap elementar për dokumentimin e krimeve dhe masakrave gjatë luftës. Për mua kjo ekspozitë ishte bërë jo në kohën dhe në hapësirën e duhur. Gashi kishte botuar një libër për krimet e luftës qysh në vitin 2024, dhe atëherë munguan kritikat nga njerëzit kompetentë, politikanët dhe nga analistët politikë, të cilët tash po reagojnë zhurmshëm për ekspozitën e Gashit, në qendër të Prishtinës!
Ka mjaft dëshmitarë me të cilët është dashur të kontaktohet, por kjo nuk ndodhi nga neglizhenca si gjithmonë dhe se mendja u përqendrua më shumë në luftën për pushtet, sesa interesimi për ata që sollën lirinë! Ekspozita ngjalli reagime dhe indinjatë, pasi doli që është financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës. Mu për atë edhe po kërkohet dorëheqja e kryekuvendares, Albulena Haxhiu. Ekspozitën e cilësoi si të pasaktë edhe Natasha Kandiq, e cila e udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC), aktiviste për të drejtat e njeriut, e cila në një intervistë e kritikoi Gashin për pasaktësi, sidomos kur bëhet fjalë për masakrën serbe në Burgun e Dubravës, se janë vrarë persona të armatosur, gjë që është e palejueshme për Shkëlzen Gashin, edhe pse ekspozitat e tilla janë shumë të nevojshme të organizohen. Ajo adresoi kritika të rënda ndaj Gashit, duke thënë se kjo ekspozitë nuk ka të bëjë me çështje të interpretimit, por me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare të faktuara dhe të vërtetuara në gjykatë. Në vazhdën e krizave politike dhe institucionale na ndodhi edhe kjo krizë, e cila veç sa e ndërlikon edhe më shumë situatën politike, madje edhe të sigurisë. E thashë edhe më lart se libri i Gashit ishte në qarkullim për dy vite radhazi, madje ishte edhe promovuar, ku nga disa ishte kritikuar dhe deri në paraqitjen e ekspozitës pak kush ose hiq nuk ishte marrë me këtë libër, nga tema shumë e ndjeshme e luftës!
Shtrohet pyetja pse ishte heshtur dhe pse tash gjithë kjo zhurmë? Po të ishte reaguar me kohë dhe po të ishte bërë pjesë e debatit, sigurisht se nuk do ta kishim këtë situatë që kemi sot. Kjo pjesë, kur bëhet fjalë për të vrarët dhe të masakruarit në Kosovë nga regjimi terrorist i Millosheviqit, duhet ndarë nga tema politike, për t’i ndaluar spekulimet e ndryshme, të cilat dërgojnë ujin te armiku shekullor serb. Duhet pasur shumë kujdes në mos shtrembërimin e fakteve historike. Kjo nuk është vetëm çështje gabimi dhe as e terminologjisë së përdorur, por qëndron te përmbajtja e saj. Duhet pasur shumë kujdes nga secili se si paraqitet lufta dhe mijëra viktimat e saj. Gjithashtu duhet të tregohet kujdes i madh që të mos lëndohen familjarët e të vrarëve. Askush nga establishmenti politik nuk ngulmoi që të depozitojë material të bollshëm pranë TPI-së në Hagë, nga dëshmitarë dhe nga KMLDNJ-të në Kosovë, të cilët disponojnë të dhëna të sakta për luftën, madje edhe Gashi. Padi për gjenocid kishin bërë Kroacia dhe Bosnja ndaj Serbisë, edhe pse nga TPI-ja në Hagë për krime të luftës kurrë nuk i diskutoi ato. Por megjithatë ka vlerë historike depozitimi për krimet serbe në ish-Jugosllavi. Drejtuesit e shtetit të Kosovës për 26 vite nuk e panë të arsyeshme që ta padisin Serbinë fashiste për gjenocid dhe spastrime etnike ndaj shqiptarëve në tokat e tyre. U “harruan” gjithashtu edhe 1600 shqiptarë të zhdukur diku në Serbi. Kjo po shkakton indinjatë të vazhdueshme tek familjet e të zhdukurve.
Duket se ky libër që tash doli si ekspozitë dhe u largua, nuk ka burime shumë të sakta dhe hulumtim të mjaftueshëm. Natasha Kandiq mbrojti qëndrimin e vet me arsyetimet e saj nga hulumtimi nga fondi i vet dhe më duket mua se paraqitja e saj u përqendrua më shumë tek të vrarët shqiptarë nga Burgu i Dubravës. Ajo foli edhe për pasaktësi të tjera, por jo shumë të qarta për opinionin e gjerë publik. Rasti ka kaluar te Prokuroria dhe zhurmat politike dhe mediatike duhet të pushojnë, të cilat mund të përkeqësojnë situatën politike edhe më shumë në vend. Na duhet stabiliteti politik dhe puna e ekspozitës të Astrit Gashit t’i lihet organeve përkatëse. Heshtja e atëhershme kur është botuar libri dhe zhurma e madhe e sotme nuk justifikohen. Të mbijetuarit e masakrës së Dubravës dhe familjarët e të vrarëve kanë të drejtë të kërkojnë korrigjimin e librit apo edhe ndalimin. Sigurisht që masakrat në Kosovë duhet të dalin në qendër të jetës publike në formën dhe përmbajtjen e duhur, me botime nga njerëzit dëshmitarë të masakrave dhe nga Akademia dhe intelektualët e shumtë, të cilët çuditërisht po preferojnë heshtje të madhe. Kjo duhet të bëhet sigurisht me parime të shëndosha dhe në mënyrë përmbajtësore. Vetëm kështu mendoj e ruajmë kahun e duhur të historisë… Kemi lëshime me bollëk të kësaj klase politike ndaj hegjemonisë serbomadhe, kur Kosova krejt pas luftës u përball me akte destabilizuese nga Serbia e kryekriminelëve të luftës deri te Aleksandër Vuçiq.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".