KALKULANTËT E POLITIKËS SË MJERIMIT PO LUAJNË ME NDJENJAT E POPULLIT!...
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Ky soj i njerëzve që ka marrë në duar fatin e politikës së popullit të Kosovës është para provimit të fundit: ose të vetëdijesohet, ose të shkojë në arkivat e historisë së dështuar. Këta njerëz, pa ndërgjegje, pa dinjitet, pa përgjegjësi, janë duke shkatërruar bërthamën e popullit të Kosovës për interesat e tyre personale dhe karrieriste. Këta nuk janë të vetëdijshëm se janë bërë aq të padurueshëm, aq të neveritshëm, aq të gërrditshëm, duke i traumatizuar qytetarët, të cilët nuk janë fajtorë për dështimet që i ka krijuar politika. Ky soj i njerëzve, që aksidentalisht kanë hyrë në politikë — dikush menjëherë pas luftës e dikush para një viti — janë rreshtuar pas kryetarëve të partive, pas grupeve të interesit, pas klaneve të parapolitikës, duke punuar në vazhdimësi kundër ndërtimit të institucioneve të Shtetit të Kosovës.
Derisa këta bëjnë kalkulime duke i vënë në plan të parë interesat partiake, duke e shkelur vullnetin dhe votën e popullit, Kosova po vuan dhe po ballafaqohet me sfida të ndryshme, të cilat kërkojnë zgjidhje sistemore nga institucionet e shtetit. Mendoj se ky soj i njerëzve, që lojën e ping-pongut e kanë futur në politikë dhe nuk janë në gjendje ta zgjedhin një President, nuk meritojnë asnjë përkrahje nga populli. Derisa këta barrikadohen ndaj njëri-tjetrit, duke i mbrojtur kauzat dhe pozicionet e partive, më thotë mendja se, si pjesë e Shoqërisë Civile, në këtë situatë të krijuar të kaosit, zgjidhja më e pranueshme për të dalë nga ky ngërç është që Blerim Shala të nominohet për President të Republikës së Kosovës. Blerim Shala është njëri prej figurave më emblematike, i cili si gazetar, si përfaqësues i Shoqërisë Civile dhe si diplomat ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha periudhat — që nga Konferenca e Rambujesë ajo e Vjenës e deri tek Shpallja e Pavaresise se Republikes se Kosoves— duke qen kordinatori kryesor i ktyre proceseve me faktorin nderkombetare. Blerim Shala i takon sektorit të Shoqërisë Civile, është figurë jashtë partive politike, i përgatitur në të gjitha aspektet intelektuale, politike dhe diplomatike, i cili në vazhdimësi ka krijuar miqësi dhe ka ruajtur raporte me të gjitha qeveritë e shteteve demokratike perëndimore. Ai është njeriu më i arsyeshëm që, në këtë moment, të zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Po e bëjmë këtë propozim si ide që rrjedh nga sektori i Shoqërisë Civile për t’i ndihmuar shtetit që më në fund të zgjidhet një President i cili nuk ka hipoteka ndaj asnjë partie politike. Nëse edhe kjo nuk merret në konsiderim apo hidhet poshtë, atëherë nuk do shumë mend se këta politikanë, me vetëdije, janë duke e shkatërruar shtetin e Kosovës. Më thotë mendja se mjaft më me këto lojëra, me këto urrejtje, me këto përçarje, me këtë zili të këtyre deputetëve, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me vullnetin e popullit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
