
Lexoni edhe:
A po e quan Egli 'fshatar' Gjestin?
Krijesa e vetme që mund të jetojë në Hënë, nga sa dimë deri tani, duket me të vërtetë e çuditshme. Me katër palë këmbë me kthetra dhe pamjen e përgjithshme të një dysheku të fryrë tej mase, të shoqëruar me një gojë që ngjan me një pjesë të fshesës me korent, ajo duket si jashtëtokësore, nëse do të mund ta shihje me sy të lirë.
Por shumica e tardigradeve janë mikroskopikë dhe banorë të Tokës. Ato mbërritën në Hënë vetëm si pasojë e një përplasjeje të një anijeje kozmike izraelite në vitin 2019, e cila kishte me vete disa prej këtyre krijesave si pjesë e një lloj kapsule kohore.
A po e quan Egli 'fshatar' Gjestin?Lexoni edhe:
Që prej asaj kohe, shkencëtarët dhe përdorues të internetit kanë diskutuar mundësinë nëse këto kafshë mikroskopike, të njohura për qëndrueshmërinë e tyre ndaj temperaturave ekstreme, rrezatimit dhe kushteve të tjera të ashpra, mund të kenë mbijetuar përplasjen dhe kushtet e egra në Hënë.
“Është pothuajse e sigurt që asgjë nuk ka mbijetuar,” thotë Jasmine Nirody, biologe e organizmave në Universitetin e Çikagos, që studion tardigradet.
Por nëse kapsula që i përmbante ka mbetur e paprekur, është e mundur që krijesat të jenë ende të gjalla. Tardigradet, të njohura edhe si “arinjtë e ujit”, nuk janë një specie e vetme, por një ndarje biologjike (filum) që përfshin qindra specie, secila e përshtatur për habitate të ndryshme ekologjike në gjithë planetin, disa prej tyre jashtëzakonisht ekstreme.
Këto kafshë të vogla janë zakonisht mikroskopike, dhe speciet më të mëdha arrijnë vetëm përmasat e një pike fundore në një tekst të zakonshëm të shtypur. Nga pikëpamja taksonomike, ato janë të afërmit më të afërt të artropodëve, grup që përfshin merimangat dhe insektet.
Ato janë të famshme në mesin e shkencëtarëve për aftësinë e tyre për të mbijetuar gjëra që shumica e formave të jetës nuk mund t’i përballojnë. Mund të përballojnë mungesë ekstreme të ujit, oksigjenit, si edhe presione dhe temperatura të skajshme. Gjithashtu e përballojnë mjaft mirë urinë dhe rrezatimin, lloje sfidash që mund të përballen në Hënë.
Arsyeja pse po diskutohet seriozisht nëse mund të ketë jetë në Hënë, është për shkak të një misioni të dështuar izraelit për të lënë një kapsulë kohore dixhitale. “Beresheet” e Izraelit ishte një anije kozmike pa ekuipazh që përfshinte 1000 tardigrade të ruajtura në një kapsulë kohore, së bashku me të dhëna dixhitale të librave, Wikipedias dhe sende të tjera. Tardigradet u shtuan pothuajse si mendim i dytë, pasi kërkime të mëparshme kishin treguar se ato mund të mbijetojnë për një kohë në vakuumin e hapësirës.
Megjithatë, anija kozmike u përplas më 11 prill 2019 për shkak të një dështimi teknik. Nuk është e qartë nëse kapsula kohore dhe tardigradet brenda saj mbijetuan përplasjen. Nirody dyshon se kanë mbijetuar, megjithëse pranon: “Asnjëherë nuk kam përplasur tardigrade diku, kështu që nuk e di.”
Për të përballuar shumicën e kushteve ekstreme, tardigradet zakonisht hyjnë në një gjendje dehidratimi të ngjashme me gjumin dimëror. Ky proces zakonisht zgjat disa minuta, thotë Nirody, prandaj nëse nuk kanë qenë tashmë në këtë gjendje kur u përplasën, do të kishin qenë më të ndjeshme ndaj forcës së goditjes. Por pasi hyjnë në këtë gjendje, tardigradet mund të mbijetojnë për dekada, ne nuk e dimë saktësisht sa gjatë, sepse askush nuk i ka testuar për më shumë, thotë ajo.
Meqë duket se ishin në një gjendje të dehidratuar kur u vendosën në kapsulë, kjo do të thotë se ishin më të qëndrueshme. Por gjithsesi kanë për të përballuar kushte ekstreme. Temperaturat në Hënë, pa atmosferë, variojnë nga -133°C gjatë natës deri në 121°C gjatë ditës. Teste kanë treguar se tardigradet mund t’i mbijetojnë këtyre temperaturave, për sa kohë që mbeten në gjendjen e dehidratuar. Ato gjithashtu mund të përballojnë një pjesë të rrezatimit që do të përjetonin pa atmosferën mbrojtëse të Tokës.
Megjithatë, të qëndruarit pezull në gjendje të dehidratuar nuk përbën plotësisht “jetë”. Për të riprodhuar, tardigradet duhet të dalin nga kjo gjendje, diçka që zakonisht nuk e bëjnë përveçse kur ndeshen me ujë, i cili nuk ekziston në Hënë në sasi të mjaftueshme për ta.
“Ato nuk ‘ringjallen’ nëse nuk rehidrohen,” thotë Nirody.
Pasi të rehidrohen, do t’u nevojitej edhe ushqim, që për “ariunjtë e ujit” janë qelizat e bimëve, algat, ose mikroorganizma të tjerë, jo pluhuri hënor. Me fjalë të tjera, nuk është se mund të jetojnë në Hënë, por thjesht që nuk do të vdisnin menjëherë.
Nëse astronautët do të ktheheshin në vendin e përplasjes dhe do të rimerrnin kapsulën kohore, me tardigrade të mbijetuar, ka mundësi që ato të dilnin nga gjendja e pezulluar, por kjo do të kërkonte që të largoheshin nga Hëna.
“Mund t’i lëmë për një natë në Hënë dhe t’i marrim më vonë, dhe do të ishin mirë,” thotë Nirody. Përndryshe, “nëse rikthehen nga dehidratimi dhe kushtet janë të këqija, thjesht do të vdisnin.”
Por derisa dikush të shkojë të kontrollojë nga afër, për shembull përmes një misioni hënor në vendin e përplasjes, është e pamundur ta dimë me siguri. Deri atëherë, ekziston një shpresë e vakët se tardigradet kanë mbijetuar, edhe pse nuk po “jetojnë mirë”, në Hënë.
(Kosova Sot Online)