India dhe SHBA lëshojnë satelitin NISAR

  • A.P /
  • 31 July 2025 - 08:42
India dhe SHBA lëshojnë satelitin NISAR

Agjencitë hapësinore të Indisë (ISRO) dhe Shteteve të Bashkuara (NASA) kanë lëshuar sot një satelit të ri të përbashkët për vëzhgimin e Tokës, i cili pritet të sjellë të dhëna me saktësi të jashtëzakonshme mbi ndryshimet në tokë, dete dhe akullnaja.

Sateliti NASA-ISRO Synthetic Aperture Radar (NISAR), me peshë 2.392 kg, u nis të martën (30 korrik) në orën 17:40 me orën lokale, nga Qendra Hapësinore Satish Dhaëan në Indinë Jugore. NASA e ka cilësuar atë si 'radarin më të avancuar që kemi ndërtuar ndonjëherë', në gjendje të zbulojë edhe lëvizjet më të vogla kudo në botë.

 

NISAR është i pari satelit në botë që përdor dy frekuenca të ndryshme radioje, bandën L nga NASA dhe bandën S nga ISRO, për të monitoruar Tokën. Sipas ish-shkencëtares së NASA-s, Mila Mitra, sateliti do të kalojë mbi të njëjtat zona çdo 12 ditë, duke regjistruar ndryshime në sipërfaqe me saktësi që shkon deri në centimetra.

Të dhënat e mbledhura do t’u shërbejnë jo vetëm Indisë dhe SHBA-së, por edhe gjithë botës për përgatitjen dhe reagimin ndaj katastrofave natyrore, si dhe për vëzhgimin e efekteve të ndryshimeve klimatike.

“Do të mund të shohim shenjat paralajmëruese të tërmeteve, rrëshqitjeve të dheut, shpërthimeve vullkanike. Do të ndjekim zhytjen dhe ngritjen e tokës, lëvizjet, shkrirjen e akujve në Grenlandë e Antarktidë dhe madje edhe zjarret pyjore,” tha Karen St. Germain, drejtore e Gjeoshkencës në NASA, e pranishme në vendin e lëshimit në Indi.

Sipas saj, NISAR do të ndihmojë gjithashtu në identifikimin e ndikimeve të aktivitetit njerëzor në terren, nga ndërtimet dhe infrastruktura, te bujqësia.

Sateliti pritet të nisë mbledhjen aktive të të dhënave pas rreth 90 ditësh, pasi të përfundojë kontrolli i sistemeve. Misioni i përbashkët, me një buxhet prej 1.5 miliardë dollarësh dhe mbi 10 vite punë përgatitore, u zhvillua në pjesën më të madhe në Indi, e cila ofroi raketën dhe infrastrukturën e lëshimit.

Presidenti i ISRO-s, V. Narayanan, e përshkroi NISAR-in si ‘satelitin shpëtimtar’, që dëshmon për rritjen e rolit udhëheqës të Indisë në hapësirë. “Kjo është një tjetër ditë e madhe për Indinë”, u shpreh ai për NDTV.

Ndërsa ministri indian i Shkencës, Jitendra Singh, e cilësoi këtë lëshim si një gur themeli në bashkëpunimin hapësinor mes Indisë dhe SHBA-së.

“NISAR nuk është thjesht një satelit, por dora shkencore e Indisë drejt botës,” theksoi ai.

Lëshimi i NISAR vjen vetëm pak javë pas pjesëmarrjes së astronautit indian Shubanshu Shukla në misionin AX-4 drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, nën udhëheqjen e ish-astronautes së NASA-s, Peggy Ëhitson.

Programi hapësinor indian ka përparuar ndjeshëm kohët e fundit, në gusht 2023, India u bë vendi i parë që zbriti një mjet në Polin e Jugut të Hënës, ndërsa nisi edhe misionin e parë për vëzhgimin e Diellit. ISRO ka në plan të realizojë misionin e parë të saj me ekuipazh në 2027 (Gaganyaan), të ndërtojë një stacion hapësinor deri në vitin 2035 dhe të dërgojë një astronaut në Hënë deri në vitin 2040.

(Kosova Sot Online)