Shkencëtarët i japin një përgjigje - pyetjes: S a është ora në Mars?

  • A.P /
  • 15 December 2025 - 09:00
Shkencëtarët i japin një përgjigje - pyetjes: S a është ora në Mars?

Koha nuk kalon njësoj në të gjithë sistemin diellor dhe studime të reja tregojnë se ajo zhvillohet ndryshe në Mars krahasuar me Tokën. Fizikanët e Institutit Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) kanë llogaritur me saktësi se një orë në Mars ecën rreth 477 mikrosekonda më shpejt në ditë sesa një orë në Tokë. Kjo diferencë nuk është e njëjtë gjatë gjithë vitit marsian, sepse orbita e zgjatur e planetit dhe tërheqja gravitacionale e planetëve të tjerë mund ta ndryshojnë atë me deri në 226 mikrosekonda.

 

Sipas shkencëtarëve, këto ndryshime janë shumë të vogla, por janë shumë të rëndësishme për misionet e ardhshme njerëzore dhe robotike në Mars, sidomos për navigimin dhe komunikimin. Sot, komunikimi mes Tokës dhe Marsit vonohet nga 4 deri në 24 minuta, në varësi të pozicionit të planetëve.

Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit tregon se koha ndikohet nga graviteti: orët ecin më ngadalë aty ku graviteti është më i fortë dhe më shpejt aty ku është më i dobët. Graviteti në Mars është rreth pesë herë më i dobët se në Tokë, prandaj edhe ora ecën pak më shpejt. Por në llogaritje ndikojnë edhe Dielli, Toka, Hëna dhe forma e orbitës së Marsit.

Studimi krijon bazën për ndërtimin në të ardhmen të rrjeteve të komunikimit ndërplanetar, të ngjashme me GPS-in në Tokë. Edhe pse misionet afatgjata në Mars janë ende larg, njohja e saktë e kohës është thelbësore për çdo sistem navigimi.

Sipas shkencëtarëve, ky zbulim ka edhe vlerë të madhe shkencore, sepse ndihmon në testimin dhe thellimin e teorive të relativitetit mbi mënyrën se si matet dhe rrjedh koha në univers.

(Kosova Sot Online)