Kjo është mënyra e re se si mund të komunikojnë alienët

  • A.P /
  • 08 January 2026 - 09:00
Kjo është mënyra e re se si mund të komunikojnë alienët

Sipas një studimi të ri, qytetërime aliene të avancuara mund të jenë duke komunikuar me shkëndija drite, në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si komunikojnë xixëllonjat. Kjo ide mund të hapë rrugë të reja për gjetjen e qytetërimeve jashtëtokësore.

Deri tani, astronomët janë përpjekur kryesisht t'i zbulojnë alienët e avancuar duke kërkuar sinjale të çuditshme radio nga planetë të largët ose shenja të pazakonta nxehtësie që tregojnë teknologji të përparuar.

Por sipas studiuesve nga Universiteti Shtetëror i Arizonës, kjo qasje mund të jetë shumë e përqendruar te njeriu, pra përpiqet t'i kuptojë qytetërimet jashtëtokësore vetëm nga këndvështrimi njerëzor dhe mund të mos marrë parasysh civilizime që janë krejt ndryshe nga ne.

Në këtë eksperiment teorik, ata propozojnë një mënyrë krejt të re se si alienët e avancuar mund të komunikojnë me civilizime të tjera jashtëtokësore.

Xixëllonjat komunikojnë përmes modeleve të dritave që ndezin, të cilat dallohen nga mjedisi dhe nga xixëllonjat e tjera. Çdo specie xixëllonje ka zhvilluar modele të ndryshme drite, që u lejojnë anëtarëve të së njëjtës specie të njohin njëri-tjetrin.

Edhe pse xixëllonjat nuk e kuptojnë domethënien e këtyre dritave, modelet e tyre sinjalizojnë praninë dhe identitetin e secilës xixëllonjë në një mjedis natyror plot zhurmë.

Në mënyrë të ngjashme, alienët e përparuar mund të përdorin sinjale drite me një model binar ndezje/fikje, që mund të mos kenë ndonjë kuptim të veçantë, por thjesht të dallohen nga sfondi natyror kozmik i yjeve dhe galaktikave të ndritshme, thonë shkencëtarët.

"Sinjalet jashtëtokësore mund të identifikohen jo nga kompleksiteti apo nga përmbajtja e deshifrueshme, por nga vetitë strukturore të sinjalit," shkruajnë studiuesit në studimin ende të parecensuar, të publikuar në arXiv.

Shkencëtarët zhvilluan një model të frymëzuar nga xixëllonjat për të eksploruar se si alienët inteligjentë mund të krijojnë sinjale që dallohen nga sfondi, edhe pse nuk mbartin ndonjë mesazh të deshifrueshëm.

Një nga objektet më të ndritshme në sfondin kozmik është pulsari, një yll neutronik rrotullues që lëshon impulse të rregullta dhe të parashikueshme valësh radio.

Studiuesit simuluan sinjale nga rreth 150 pulsarë të njohur dhe krijuan një sinjal artificial që dallohej nga ky sfond pulsarësh.

Ata morën parasysh edhe energjinë e nevojshme për të prodhuar një sinjal të tillë.

Kjo i ndihmoi shkencëtarët të vlerësojnë se çfarë lloj sinjali artificial do të dallohej më shumë nga pulsarët, ndërkohë që kërkon energji relativisht të ulët për një qytetërim alien të përparuar.

Shkencëtarët zbuluan se sinjale artificiale mund të jenë shumë më të dallueshme se sinjalet natyrore të pulsarëve, nëse prodhohen nga një qytetërim alien i përparuar.

Kjo do të thotë se një komunikim alien i zbulueshëm nuk ka nevojë të ketë kuptim për ne, por vetëm të jetë diçka që ka shumë pak gjasa të ndodhë rastësisht në natyrë.

"Modeli ynë tregon se sinjalet aliene nuk kanë nevojë të jenë të ndërlikuara dhe as të kuptojmë domethënien e tyre për t'i identifikuar," përfundojnë studiuesit.


(Kosova Sot Online)