Hubble dhe Euclid kapin momentet e fundit të një ylli që po ‘vdes’

  • A.P /
  • 19 March 2026 - 09:00
Hubble dhe Euclid kapin momentet e fundit të një ylli që po ‘vdes’

Astronomët kanë kombinuar detajet e imëta që kap teleskopi Hubble mbi ‘vdekjen’ e një ylli, me pamjen e gjerë të mjedisit kozmik që ofron Euclid, për të studiuar nga afër mjegullnajën ikonike “Syri i Maces”.

Këto imazhe mbresëlënëse tregojnë unaza të ndritshme dhe të shtrembëruara gazi në nuanca blu, portokalli dhe të kuqe, që shpërndahen me shpejtësi nga një yll në agoni. E vendosur në mes të një “deti” galaktikash dhe yjesh, kjo pamje paraqet mjegullnajën e njohur “Syri i Maces”, ose NGC 6543.

Megjithëse duket e qetë dhe e bukur, kjo pamje është mashtruese. Mjegullnaja është formuar nga ndërveprime kaotike mes erërave shumë të forta të yllit, shtresave të tij të jashtme dhe rrymave energjike, duke krijuar strukturën e saj komplekse që i ngjan një syri.

 

E ndodhur rreth 4,300 vite dritë larg Tokës, “Syri i Maces” është një mjegullnajë planetare — një re gazi e ndritshme në zgjerim, e krijuar nga një yll me masë të ulët ose mesatare në fundin e jetës së tij. Ndryshe nga yjet më të mëdhenj që shpërthejnë në supernova të dhunshme, ky yll i ka lëshuar gradualisht shtresat e jashtme në hapësirë, duke formuar struktura të bukura dhe të ndërlikuara.

Pamja e gjerë e Euclid, e realizuar në dritë të dukshme dhe infra të kuqe të afërt, zbulon harqe të zbehta dhe filamente delikate gazi që rrethojnë qendrën e ndritshme. Këto struktura duken sikur shpërndahen larg në hapësirë dhe besohet se janë krijuar në një fazë më të hershme të vdekjes së yllit, përpara formimit të mjegullnajës kryesore.

Nga ana tjetër, Hubble ka kapur me saktësi të jashtëzakonshme detajet e rajonit qendror. Në këtë pamje nga afër shihet një yll i vdekur, por ende i ndritshëm, i rrethuar nga flluska të bardha dhe forma të harkuara blu gazi. Falë Kamerës së Avancuar për Sondazhe, Hubble ka zbuluar struktura shumë të imëta dhe komplekse, përfshirë flluskat e gazit dhe fijet delikate brenda tyre.

Këto detaje funksionojnë si një “arkiv fosil” i mjegullnajës, sipas ESA-s. Çdo flluskë gazi përfaqëson një fazë të ndryshme të humbjes së masës së yllit. Në imazh, ato shoqërohen nga unaza koncentrike brenda një aureole në ngjyrë kafe, ku secila unazë shënon kufirin e një flluske. Gjithashtu, duken edhe rryma gazi shumë energjike dhe të shpejta (të paraqitura në rozë) që dalin nga pjesa e sipërme dhe e poshtme e mjegullnajës. Në disa zona vërehen edhe grumbullime të dendura materiali, të krijuara nga përplasja e këtyre rrymave me gazin që zgjerohet më ngadalë.

Ndërsa Hubble zbulon në detaj “zemrën” e ndritshme të këtij fenomeni dhe rrethinën e afërt, Euclid na jep një pamje më të gjerë, duke treguar fijet e zbehta shumëngjyrëshe të gazit dhe sfondin kozmik të mbushur me galaktika të largëta. Së bashku, këto dy pamje krijojnë një skenë pothuajse filmike të momentit të fundit të jetës së një ylli.

(Kosova Sot Online)