Receta e Cekës - Sharlotë mbretërore

  • 23 August 2018 - 23:37
Receta e Cekës - Sharlotë mbretërore

PËRBËRËSIT:

7 vezë, 7 lugë sheqer, 6 lugë miell, 1 lugë e vogël pluhur paste, vanilje, 1 puding vanileje, ½ lit qumësht, marmelatë qershie, 1 qeskë xhelatinë, 1/4 lit verë të bardhë kualitative, 1 lugë lëng limoni, 3 lugë sheqer, 1/4 ajkë, qershi të sheqerosura për zbukurim.

Tunden të bardhat e vezëve mbi avull dhe sa të shkumojnë, i hidhet sheqeri. Tunden edhe më tej gjersa të shkrihet sheqeri, pastaj hidhen të verdhat një nga një duke i tundur vazhdimisht. Shtohet mielli i përzier me pluhur paste dhe vanilje duke e përzier me lugë. Masa derdhet në tepsi katrore shporeti të shtruar me letër. Piqet në furrë të nxehtë me temperaturë 230 gradë C për 8-10 minuta. Korja e pjekur, përmbyset në pecetë të lagur, pastaj i largohet letra. Lyhet me marmelatë në tërë sipërfaqen dhe mbështillet në roladë. Gjersa të ftohet mirë, përgatitet kremi. Xhelatina ulet në 3-4 lugë ujë të ftohtë. Nxehet vera, por jo gjersa të vlojë. Hidhen 3 lugë sheqer, xhelatina e zbutur, përzihet mirë dhe lihet në vend të ftohtë duke e përzier kohë pas kohe. Pudingu përgatitet sipas udhëzimit dhe lihet të ftohet duke e përzier kohë pas kohe që të mos krijojë kore. Kur xhelatina fillon të trashet, shtohen pudingu dhe ajka e tundur mirë, nga e cila është ndarë një pjesë e vogël për zbukurim. Përzihet mirë gjersa të bëhet krem i njëllojtë. Rolada e ftohur pritet në copa sa më të holla dhe radhitet në enë me fund sferik, të lyer me yndyrë, duke pasur kujdes që në mes të copave mos të mbetet zbrazëti. Kremi derdhet në kallëp mbi copa të roladës dhe mbulohet me pjesët e mbetura të roladës. Pasi të ftohet dhe forcohet kremi në vend të ftohtë, ena futet në ujë të nxehtë, në mënyrë që “sharlota” më lehtë të përmbyset në pjatë ku do të shërbehet. Përreth zbukurohet me ajkë dhe qershi të sheqerosura. Mbushja mund të bëhet edhe me 1 litër qumësht, 3 pudingje vanileje të përgatitur sipas udhëzimit. Pasi të ftohet pudingu, mbushet ena, qëndron në vend të ftohtë gjersa të ftohet mirë, pastaj pritet. Sipas dëshirës, mund të mbushet me puding dyngjyrësh dhe t’i shtohen arra të grimcuara ose të bluara, rrush të tharë etj.  

 

(Kosova Sot)