Disa nga dobitë e akupunkturës

  • 20 September 2019 - 15:20
Disa nga dobitë e akupunkturës

Akupunktura është një metodë antike e mjekimit tradicional kinez, ku gjilpërat vendosen në pjesë të caktuara të trupit, kryesisht me qëllim të largimit të dhembjes.

DHEMBJA E PJESËS SË POSHTME TË SHPINËS

Nëse tretmanët standardë nuk e largojnë këtë dhembje kronike, atëherë akupunktura mund të jetë efikase. Dy grupe të respektuara mjekësore sugjerojnë se njerëzit me këtë problem duhet gjithsesi ta provojnë edhe akupunkturën. Një studim i madh ka gjetur se akupunktura është më efikase sesa mjekimi standard sa i përket dhembjes së shpinës. Efekti i akupunkturës te kjo dhembje ka zgjatur më shumë se 3 muaj.

DHEMBJA E KOKËS

Akupunktura mund të ndihmojë për lehtësimin e migrenës, apo dhembjeve tensionale të kokës. Dy studime të mëdha kanë gjetur se, njerëzit që trajtohen me akupunkturë, kanë më rrallë dhembje tensionale të kokës, sesa ata që trajtohen me metoda konvencionale.

TE ARTRITI

Akupunktura mund të jetë një tretman i dobishëm shtesë te osteoartriti. Disa studime premtuese kanë treguar se akupunktura e lehtëson dhembjen te artriti në gjunjë. Sido që të jetë, duhet të bëhen studime shtesë, në mënyrë që pa dyshim të mund të dihet se sa efikase është akupunktura te osteoartriti.

DHEMBJA E DHËMBIT

Akupunktura e largon shpejt dhembjen e dhëmbit, pas heqjes së dhëmbit, apo pas intervenimeve kirurgjike. Dhembja e dhëmbit, në fakt, është ndër dhembjet më të shpeshta që largohet me akupunkturë.

DHEMBJET E TJERA

Njerëzit e kanë provuar akupunkturën te dhembja e qafës, muskujve, te "bërryli i tenisit", si dhe te ngërçet menstruale. Organizata Botërore e Shëndetësisë përmend 28 gjendje të ndryshme, të cilat mund të mjekohen me akupunkturë. Ky përfundim është rezultat i një studimi të gjatë që është bërë.

NAUZEA

Akupunktura në pikën akupunkturale perikardium (P6) në nyjën e dorës, mund t'i zbusë simptomat e nauzesë dhe vjelljes. Studimet kanë krahasuar dhjetë metoda të ndryshme të akupunkturës - duke përdorë gjilpërat, stimulimin elektrik dhe akupresurën, me ç'rast kanë parë se akupunktura është e dobishme për largimin e nauzesë.

(Kosova sot Online)