Kremrat për rrezitje dhe fertiliteti i meshkujve

  • 11 October 2019 - 09:07
Kremrat për rrezitje dhe fertiliteti i meshkujve

Një studim i ri thotë se përdorimi i kremrave për rrezitje, përkundër që na mbron nga rrezet e dëmshme të diellit, për meshkujt është i dëmshëm, meqë zvogëlon gjasat e tyre për të pasur fëmijë. Studimi konstatoi se substancat që gjenden rëndom në kremrat e rrezitjes, të cilat filtrojnë rrezet ultraviolete, mund ta dëmtojnë pëlleshmërinë e meshkujve.

Ekspertët thonë se, kur këta përbërës të thithen nga lëkura, ata ndërveprojnë me hormonet trupore. Meshkujt e ekspozuar ndaj substancave kimike të quajtura BP-2 ose 4OHBP, kanë një zvogëlim të fertilitetit prej 30%. Substancat kimike të quajtura filtra ultravjollcë të llojit të benzofenoneve përdoren edhe në shampon, kremra hidratuese dhe në produkte të tjera kozmetike, me qëllim të mbrojtjes së lëkurës nga rrezet e diellit.

Është interesant fakti që këto kremra nuk e kanë këtë efekt të dëmshëm edhe te femrat. Studimet e mëparshme kishin konstatuar se edhe ftalatet, kimikate që gjenden në plastikë, ndikojnë në zvogëlimin e fertilitetit të meshkujve. 

(Kosova Sot Online)