Kuptoni gjithçka për kefirin, pijen që shëron

  • 22 May 2020 - 15:19
Kuptoni gjithçka për kefirin, pijen që shëron

Për vetitë shëruese të kefirit nga kërpudhat tibetiane po flitet gjithnjë e më shumë, kjo për faktin se shumë njerëz tashmë kanë provuar ndikimin e tyre në shëndet.

KU ËSHTË FSHEHTËSIA E KËRPUDHËS TIBETIANE DHE NDIKIMIT NË SHËNDETIN E NJERIUT?

Kërpudha tibetiane është emërtim i gabuar, pasi që bëhet fjalë për kulturën e kefirit apo kokrrat e kefirit, me ndihmën e së cilave përgatitet kefiri - lëngu i fermentuar nga qumështi me shije të thartë dhe freskuese. Sipas ekspertëve, kefiri për nga përmbajtja është një përzierje me proteina, amoniacide, lipide, si dhe shumë baktere të mira. Vetitë e tij shëruese nuk janë fshehtësi më.

Sot e dimë se sëmundjet apo shëndeti fillon në zorrë, e me konsumimin e përditshëm të kefirit ndërtojmë dhe e mbajmë të shëndetshme florën e zorrës. Në sistemin tretës të njeriut jeton një koloni me mikroorganizma. Pos se mbron në mënyrë fizike, bakteret e dobishme, pra flora e shëndetshme e zorrëve ka edhe shumë role të tjera të rëndësishme: Prodhon shumë substanca që ndikojnë si antioksidues, kundër viruseve dhe kërpudhave; Aktivizon sistemin imun kundër "sulmuesve"; Neutralizon helmet nga ushqimi dhe helmet që janë prodhuar prej mikroorganizmave; Neutralizon metalet e rënda, çaktivizon substancat kancerogjene; Merr pjesë në tretjen e ushqimit dhe absorbimin e substancave ushqyese.

KUJT I SUGJEROHET KEFIRI, TE CILAT SËMUNDJE NDIKON?

Kefiri ndikon pozitivisht te një numër i madh sëmundjesh. Midis tjerash, konsiderohet se ndikon si preparati më i fortë kundër alergjive dhe jotolerancës në ushqim, ndikon si antibiotik natyral, zvogëlon inflamacionet, reumën dhe artritin, forcon sistemin imun dhe përshpejton shërimin e plagëve. Po ashtu, shëron edhe sëmundjet e zorrëve, kapsllëkun, diarrenë, fryrjet në stomak, pastron mëlçinë dhe veshkat, ul nivelin e sheqerit në gjak, ul shtypjen e gjakut dhe yndyrën e lartë në gjak.

SI TË PËRGATITET KEFIRI NGA KËRPUDHA TIBETIANE?

Një lugë të madhe me kokrra mjafton për 0,5 l qumësht. Kokrrat i mbushni me qumësht dhe i lini në një kavanoz të mbuluar për 24 orë, në temperaturë të dhomës. Kur të jetë trashur qumështi, kefiri është i gatshëm. Me rëndësi është që kefirin ta ruani në enë prej qelqit.

SI DHE SA KOHË DUHET TA PËRDORNI KEFIRIN?

Ndoshta keni lexuar se kefirin mund ta merrni për 20 ditë e më pas të bëni një pauzë prej 10 ditëve. Kjo nuk ka lidhje, kefiri është antibiotik dhe pije natyrale, qumësht i fermentuar, pra ushqim dhe mund ta përdorni aq kohë sa të dëshironi.

(Kosova Sot Online)