Të gjitha dobitë, që vijnë nga majdanozi

  • E.K /
  • 10 korrik 2020 - 15:03
Të gjitha dobitë, që vijnë nga majdanozi

Gjatë mesjetës majdanozi përdorej si ilaç, apo si bimë dekorative. Ai sot e ka gjetur vendin e merituar në kuzhinë. Majdanozi është i pasur me vitamina, minerale, vajra eterike dhe flavonoide. Ai përmban 5 herë më shumë vitaminë C sesa limoni. Përbërësit e majdanozit neutralizojnë veprimin e përbërësve kimikë që gjenden në duhan. Flavonoidet veprojnë si antioksidues, duke na mbrojtur nga ndikimi negativ i radikaleve të lira.

Majdanozi është edhe burim i mirë i thartirës folike, e cila ka rëndësi për një shëndet më të mirë të zemrës dhe të enëve të gjakut. Ai vepron edhe si diuretik, meqë e përshpejton urinimin. Për këtë shkak majdanozi preferohet te sëmundjet e veshkave, por edhe te ënjtjet dhe te sëmundjet e zemrës. Majdanozi nuk mjekon vetëm trupin, por edhe shpirtin. Merrni një gotë mjaltë, 2 dcl lëng të majdanozit dhe lëng të dredhëzës. Nëse këtë përzierje e konsumoni 2-3 herë në ditë, nga një lugë, do të keni disponim më të mirë

(Kosova Sot Online)