Çfarë dihet deri tani për variantin Omicron

  • E.K /
  • 11 December 2021 - 15:52
Çfarë dihet deri tani për variantin Omicron

Prej disa javësh grupet kërkimore dhe institucionet shëndetësore po punojnë për të kuptuar nëse varianti Omicron është më i rrezikshëm se variantet e tjera të koronavirusit që janë shfaqur më parë dhe nëse vaksinat që janë në dispozicion aktualisht janë të afta të mbrojnë nga mutacioni i ri.

Analizat vazhdojnë të përpunohen dhe këto ditë kanë qarkulluar disa studime paraprake që duhen verifikuar, ku disa prej tyre janë qetësues e disa të tjerë më pak.

Kur dhe ku u shfaq Omicron

Rasti i parë i njohur i variantit Omicron u raportua nga autoritetet shëndetësore të Afrikës së Jugut në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) me 24 nëntor, pas analizave gjenetike të një kampioni të marrë nga një person që doli pozitiv me koronavirus me datë 9 nëntor.

Holanda më pas raportoi se kishin identifikuar këtë variant në disa mostra të analizuara, me datë 19 dhe 23 nëntor, pra pak më herët se raporti i Afrikës së Jugut. Ky detaj tregoi se Omicron me siguri kishte disa javë që po qarkullonte në Evropë dhe siç u vërtetua më vonë nga analizat e kryera në disa vende të tjera.

Për dy javë, raste të variantit Omicron u identifikuan në rreth gjashtëdhjetë vende. Në 20 raste u zbulua se ishin infektuar për herë të dytë me Covid-19. Në Britaninë e Madhe, një nga vendet me infektueshmërinë më të lartë, deri më tani janë infektuar mbi 334 raste me Omicron.

Mutacionet

Shqetësimet për variantin Omicron lidhen kryesisht me numrin e lartë të mutacioneve që përmban, krahasuar me variantet e tjera të koronavirusit që janë shfaqur deri më tani.

Çfarë duhet të dini për koronavirusin

Grupet kërkimore kanë identifikuar të paktën 50 mutacione të rëndësishme, ku 30 prej tyre janë të pranishëm në proteinën “spike”, e cila përdoret nga koronavirusi për të shmangur mbrojtjen e qelizave dhe për të injektuar materialin e tij gjenetik në to për të prodhuar kopje të reja. Është një numër mjaft i lartë mutacionesh, veçanërisht kur krahasohet me variantin Delta, i cili ishte dominues në pjesën më të madhe të botës gjatë stinës së verës. Shkencëtarët mendojnë se numri i lartë i mutacioneve nuk nënkupton se Omicron do të jetë domosdoshmërisht më ngjitës apo se ka një aftësi më të madhe për të shmangur imunitetin e njeriut.

 

Siç tregohet, ekziston mundësia që ky variant të jetë më infektues se të tjerët, por një gjë e tillë duhet verifikuar në praktikë dhe përmes analizave laboratorike, por edhe nga vëzhgimet në terren. Analizat e sakta në lidhje me këtë variant kërkojnë kohë dhe një periudhë të gjatë vëzhgimi, pasi duhet kuptuar që edhe sot rreth variantit Delta nuk ka ende një mendim të plotë në lidhje me shkallën e infektueshmërisë.

Nisur nga kjo pasiguri dhe nevojës për ta mbajtur nën kontroll zhvillimin e situatës, OBSH e përcaktoi Omicron si një variant që krijon shqetësim. Një përkufizim i tillë shërben për të nxitur vëmendjen e autoriteteve shëndetësore të vendeve të ndryshme, si dhe grupeve kërkimore që mund të verifikojnë karakteristikat e tij.

Sëmundja

Ashtu siç është ende herët për të deklaruar me siguri nëse varianti Omicron është më ngjitës së versionet e tjera të koronavirusit, po ashtu është shumë herët për të argumentuar me bindje nëse ky variant shkakton pasoja më të rënda tek personat e infektuar me Covid-19.

Informacioni i ardhur nga Afrika e Jugut është akoma i paplotë dhe për më tepër është i bazuar vetëm në disa raste, i cili tregon se ky variant mbart simptoma të lehta. Megjithatë, në zonat me infektueshmëri të lartë ishin prekur kryesisht moshat e reja, të cilët, siç është vënë re pothuajse në dy vitet e pandemisë, shfaqin simptoma më të lehta dhe për rrjedhojë janë më pak të rrezikuar nga koronavirusi.

Shumë nga rastet e Omicron u zbuluan tek individë që kishin kaluar më parë Covid-19 dhe për këtë arsye ata ishin më imun ndaj virusit.

Vaksinat

Rritja e infektimeve konsiderohet si një tregues i rëndësishëm i aftësisë së Omicron për t’i shpëtuar mbrojtjes së sistemit imunitar, si në rastin kur një person e ka kaluar më parë koronavirusin, ashtu edhe pasi ai të ketë përfunduar vaksinimin. Disa studime paraprake që ende nuk janë verifikuar, por që janë kryer në një numër të vogël individësh kanë zbuluar se vaksinat ofrojnë shumë pak mbrojtje kundër variantit Omicron nëse personi ka marrë vetëm dozën e parë të saj.

Drejtori i Përgjithshëm i Moderna, Stephane Bancel tha se vaksinat aktuale mund të ofrojnë më pak mbrojtje kundër variantit të ri Omicron dhe se do të nevojiten disa muaj për të pasur një vaksinë të përshtatshme për këtë variant. Komentet e tij kanë ngritur dyshime, pasi duhet pasur parasysh se rezultatet e analizave të kryera ende nuk kanë dalë për të kuptuar fuqinë e vaksinave kundër variantit të ri.

Kompanitë Pfizer-BioNTech kanë sqaruar se disa teste laboratorike të kryera deri më tani, treguan se vaksina e tyre ka aftësi për të luftuar variantin e ri Omicron pas dozës së dytë apo të tretë përforcuese. Megjithatë, studimi u realizua tek disa mostra dhe duhet të merret me rezerva deri më tani, pasi duhet pritur të dhëna më të plota dhe më gjithëpërfshirëse.

Përhapja

Vetëm brenda disa javëve Omicron ka treguar se është përhapur shpejt dhe në disa vende të ndryshme nga mund të hamendësohet se në muajt në vazhdim do të jetë i aftë për të kapërcyer variantin Delta, duke u shndërruar në variant dominues. Megjithatë, do të duhet ende kohë për të kuptuar shkallën e tij infektive. Analizat mbi variantin Omicron po vazhdojnë dhe për realizmin e tyre janë përfshirë me qindra grupe kërkimore në mbarë botën. Studimet e deritanishme kanë treguar se varianti i ri nuk duhet nënvlerësuar dhe siç raporton OBSH, është shumë e rëndësishme për t’u përgatitur për çdo situatë, por pa shkaktuar panik.

(Kosova Sot Online)