Pse janë shtuar kaq shumë rastet me kancer te njerëzit

  • A.P /
  • 15 September 2022 - 17:19
Pse janë shtuar kaq shumë rastet me kancer te njerëzit

Kanceri ka qenë prej kohësh pjesë e historisë njerëzore. Por një studim i ri ka treguar se diçka ka ndryshuar kohët e fundit. Që nga viti 1990, numri i të rriturve nën moshën 50 vjeç që preken nga kanceri, është rritur në mënyrë dramatike në mbarë botën.

Akoma më shqetësues është fakti që rritja e rasteve me tumor te moshat më të reja, nuk duket se po ngadalësohet, dhe përmirësimet vetëm në diagnostikimin e hershëm, nuk duket se janë në gjendje që ta shpjegojnë plotësisht këtë tendencë.

“Ne zbuluam se ky rrezik po rritet me kalimin e çdo brezi- thotë njëri nga studiuesit, Shuji Ogino, patolog dhe epidemiolog në “Brigham and Women’s Hospital’ në Boston. “Për shembull, njerëzit e lindur në vitin 1960, ishin më të rrezikuar të prekeshin nga kanceri para se të mbushin 50 vjeç, sesa njerëzit e lindur në vitin 1950. Dhe ne parashikojmë që ky nivel rreziku do të vazhdojë të rritet edhe në brezat e ardhshëm”- shton ai.

Studiuesit e dinin që nga vitet 1940-1950, se ka pasur një rritje të njerëzve që preken nga kanceri pas moshës 50-vjeçare. Por ekipi donte të zbulonte nëse kishte edhe një rritje te rasteve te njerëzit nën moshën 50 vjeç. Për këtë ata analizuan njerëzit e lindur në vitet 1950-1960, dhe më pas studiuan shkallën e shfaqjes së kancerit nga vitet 1990 e më tej.

Studimi shqyrtoi të dhënat për 14 lloje kanceri:kanceri i gjirit, ai kolorektal (në zorrë), endometrial, ezofagut, kanalit biliar ekstrahepatik, fshikëzës së tëmthit, kokës dhe qafës, veshkave, mëlçisë, palcës kockore, pankreasit, prostatës, stomakut dhe tiroides.

Të dhënat globale, treguan se të gjitha këto kancere ishin në rritje tek të rriturit nën moshën 50 vjeç midis viteve 2000-2012. Por studiuesit hodhën një hap më tej, dhe rishikuan çdo lloj lloj studimi të disponueshëm, që mund të hedhë dritë mbi faktorët e mundshëm të rrezikut për këto kancere.

Po ashtu kërkuan të dhëna në literaturë, që përshkruajnë ndonjë karakteristikë unike klinike dhe biologjike të tumoreve në moshën më të hershme, krahasuar me ato të kancereve me fillim të vonë që diagnostikohen vetëm pas të 50-ave.

“Shpeshtësia e shfaqjes së kancerit në zorrë filloi të rritet në vitet 1950, ndërsa mosha e shfaqjes filloi të ulet në fillim të viteve 1990” - shkruajnë ndër të tjera studiuesit. Po çfarë ka ndryshuar që ata nën 50 vjeç janë tashmë më të rrezikuar nga kanceret e llojeve të ndryshme? Një nga ndryshimet më të mëdha është zgjerimi i depistimit, që padyshim ka kontribuar në rritjen e shkallës së zbulimit të kancerit në një moshë më të hershme. Por ekipi vëren se as kjo nuk duket se është në gjendje të shpjegojë plotësisht ndryshimin.

Përveç faktit që sot jemi më të aftë në zbulimin e kacereve në fazat e hershme, të dhënat sugjerojnë se “ndryshimi” në shkallën e shfaqjes ka ndodhur më herët, kur ata që janë sot në moshën e tyre të mesme, ishin fëmijë rreth mesit të shekullit XX.

Nuk është ndonjë sekret se që atëherë jeta jonë ka ndryshuar shumë, sidomos që nga shtimi i ushqimeve shumë të përpunuara. Dhe të dhënat sugjerojnë se ekziston një kombinim i dietës, stilit të jetesës, peshës, ekspozimeve mjedisore dhe mikrobiomës.

“Ndër 14 llojet e kancerit në rritje që studiuam, 8 prej tyre ishin të lidhura me sistemin tretës. Ushqimi që hamë i ushqen mikroorganizmat në zorrën tonë. Dieta ndikon drejtpërdrejt në përbërjen e mikrobiomit, dhe në fund këto ndryshime mund të ndikojnë mbi rrezikun dhe rezultatet e sëmundjes”- shpjegon epidemiologia Tomotaka Ugai nga Shkolla Mjekësore e Harvardit.

Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë pijet me sheqer, diabetin e Tipit 2, mbipesha, jeta sedentare dhe konsumimi i alkoolit. Që të gjitha këto janë rritur ndjeshëm që nga vitet 1950. Është interesant fakti që ndërsa nuk ka ndryshuar shumë kohëzgjatja e gjumit te të rriturit gjatë dekadave të fundit, fëmijët po flenë shumë më pak se disa dekada më parë.

Studiuesit shpresojnë që të mund t’i edukojnë njerëzit, të kenë një mënyrë jetese më të shëndetshme në vitet e tyre të hershme të jetës, për të zvogëluar rrezikun e shfaqjes së kancerit në një moshë më të hershme sesa dikur.

(Kosova Sot Online)