Shëndeti që ke sot është pasojë e mjedisit ku ke jetuar dje

  • A.P /
  • 17 December 2025 - 08:18
Shëndeti që ke sot është pasojë e mjedisit ku ke jetuar dje

Parkinsoni është sëmundja e dytë neurologjike më e përhapur në SHBA-të, pas Alzheimerit. Çdo vit, rreth 90 mijë amerikanë diagnostikohen. Për dekada, kërkimet janë përqendruar pothuajse ekskluzivisht te gjenet, te “gabimet” në ADN që supozohej se shkaktonin këtë sëmundje.

Sot, studimet mbi gjenetikën e Parkinsonit janë gjashtë herë më të shumta se ato mbi shkaqe të tjera të mundshme.

 

Një arsye është se disa figura të njohura, si bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, kanë lidhje gjenetike me Parkinsonin. Edhe Michael J. Fox u diagnostikua herët. Fondacioni i tij ka mbledhur miliarda dollarë për kërkime, ndërsa Brin ka kontribuar personalisht me rreth 1.8 miliardë dollarë. Si rezultat, mbi gjysma e fondeve për Parkinsonin në 20 vitet e fundit kanë shkuar drejt gjenetikës.

Por ka një problem madhor. Rastet e Parkinsonit në SHBA-të janë dyfishuar në 30 vitet e fundit dhe parashikohet të rriten edhe 15–35% çdo dekadë. Kjo nuk është sjellje tipike e një sëmundjeje trashëgimore.

Studimet më të fundit tregojnë se vetëm 10–15% e rasteve shpjegohen plotësisht nga gjenetika. Pjesa tjetër mbetet mister.

“Mbi dy të tretat e pacientëve me Parkinson nuk kanë asnjë lidhje të qartë gjenetike”, thotë Briana De Miranda, studiuese në Universitetin e Alabamës në Birmingham.

“Kështu që po kalojmë te pyetja se çfarë tjetër mund të jetë?”

“Shëndeti që ke sot është pasojë e mjedisit ku ke jetuar dje”, thotë Ray Dorsey, profesor i neurologjisë në Universitetin e Rochesterit. Mjedisi mund të jetë rafineria pranë qytetit, boja me plumb në shtëpinë e fëmijërisë, pesticidet, ndotja e ajrit ose uji që ke pirë për vite me radhë.

Nëse Parkinsoni është një sëmundje mjedisore, siç beson Dorsey dhe një grup i vogël studiuesish, atëherë teorikisht mund të parandalohet.

Një pikë kthese ndodhi në vitin 1982, kur një përdorues heroine në Kaliforni zhvilloi simptoma të Parkinsonit brenda pak ditësh. Shkaku ishte një substancë kimike, MPTP, që shkatërroi menjëherë neuronet prodhuese të dopaminës. Ishte prova e parë e fortë se një kimikat mund të shkaktonte Parkinson.

Dekada më vonë, dyshimet u rikthyen te Camp Lejeune. Për mbi 35 vjet, uji i pijshëm atje ishte i ndotur me trikloroetilen (TCE), një tretës industrial i përdorur gjerësisht në ushtri dhe industri. Marina amerikane e mohoi për vite me radhë rrezikun, por statistikat ishin tronditëse: rritje e ndjeshme e kancereve, sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve foshnjore.

Epidemiologu Sam Goldman krahasoi marinsat e Lejeune me ata të Camp Pendleton në Kaliforni, ku uji ishte i pastër. Rezultati? Ata që kishin shërbyer në Lejeune kishin 70% më shumë gjasa të zhvillonin Parkinson.

Në laborator, Briana De Miranda e çoi kërkimin një hap më tej, duke ekspozuar minj ndaj TCE-së për periudha të gjata. Rezultatet ishin të qarta, se neuronet e dopaminës po vdisnin dhe minjtë shfaqnin probleme lëvizjeje dhe njohjeje, pikërisht si tek Parkinsoni.

Në dhjetor 2024, Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) vendosi të ndalojë përdorimin e TCE-së në SHBA. Por debati vazhdon, pasi politika shpesh ecën më ngadalë se shkenca.

Sipas Dorsey-t, Parkinsoni është pjesë e një pandemie më të gjerë të sëmundjeve kronike të shkaktuara nga mjedisi. Vetëm 5% e sëmundjeve janë plotësisht gjenetike.

“Gjenet ngarkojnë armën”, ka thënë dikur Francis Collins, ish-drejtues i NIH, “por mjedisi e tërheq këmbëzën.”

Amy Lindberg sot vazhdon të luftojë.

Ajo stërvitet çdo ditë, luan pickleball, boks dhe përdor pajisje kardio. Studimet tregojnë se aktiviteti fizik intensiv mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes. Mjedisi mund t’ia ketë shkaktuar Parkinsonin, por tani, ajo po përpiqet ta përdorë po atë mjedis për të kundërsulmuar.

(Kosova Sot Online)