Ja si të merrni proteina në çdo vakt

  • A.P /
  • 16 March 2026 - 08:48
Ja si të merrni proteina në çdo vakt

Të shtoni proteinat në ushqim nuk do të thotë të ndiqni një dietë të rreptë apo të hiqni dorë nga ushqimet që ju pëlqejnë. Sipas ekspertëve të ushqyerjes, sekreti është thjesht të dini si t’i shpërndani gjatë gjithë ditës, duke filluar nga mëngjesi e deri te darka.

Një konsum i balancuar i proteinave ndihmon në ruajtjen e energjisë, në forcimin e muskujve dhe në ndjenjën e ngopjes për më gjatë, duke shmangur edhe ngrënien e tepërt.

 

Specialistët theksojnë se gabimi më i zakonshëm është konsumimi i shumicës së proteinave vetëm në darkë, ndërsa organizmi funksionon më mirë kur ato ndahen në mënyrë të barabartë gjatë ditës. Studimet tregojnë se kur proteinat shpërndahen mes mëngjesit, drekës dhe darkës, trupi i përdor më mirë aminoacidet dhe stimulon më efektivisht ndërtimin e muskujve.

Në mëngjes këshillohet të shtoni një burim proteinash për të nisur ditën me energji dhe për të shmangur urinë e shpejtë. Ushqime si vezët, kosi, djathi i freskët, frutat e thata apo produktet me bazë qumështi janë zgjedhje të mira, sepse japin ngopje dhe ndihmojnë në mbajtjen stabile të nivelit të sheqerit në gjak. Një mëngjes me më shumë proteina mund të ulë dëshirën për ushqime të ëmbla gjatë ditës dhe të ndihmojë në kontrollin e kalorive.

Edhe dreka duhet të përmbajë një kombinim të mirë proteinash, karbohidratesh dhe perimesh. Mish i bardhë, peshk, vezë, bishtajore ose produkte të qumështit janë ndër zgjedhjet më të rekomanduara, sepse ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore dhe në mbajtjen e energjisë gjatë pasdites. Një vakt i balancuar shmang lodhjen dhe dëshirën për snack-e jo të shëndetshme.

Në darkë proteinat mbeten të rëndësishme, por pa e tepruar. Ideale është që vakti i fundit të jetë i lehtë, me burime të pastra proteinash dhe shumë perime, në mënyrë që tretja të jetë më e lehtë dhe organizmi të rikuperohet gjatë natës. Ekspertët kujtojnë se nuk ka nevojë të rritet sasia totale e proteinave, por vetëm të shpërndahet më mirë gjatë ditës.

(Kosova Sot Online)