
Kampioni i botës kërkon skuadër përmes rrjeteve sociale
Fituesi i Kupës së Botës me Italinë, Cristian Zaccardo, është duke kërkuar skuadër të re nëpërmjet “Linkedln”.
Cristian Zaccardo, që ka luajtur tri ndeshje në triumfin e Italisë në Botërorin 2006, së fundi ishte pjesë e skuadrës së Serie B të Italisë, Vicenza, por nuk ishte në gjendje të parandalonte skuadrën të binte në rangun e tretë.
35-vjeçari ka përfunduar bashkëpunimin me klubin dhe tash është lojtar i lirë, ndërsa është kthyer te rrjetet sociale për të kërkuar skuadrën e ardhshme.
“Unë kam anuluar kontratën time që më lidhte me Vicenzan deri në qershor të vitit 2018”, ka shkruar Zaccardo, shkruan “Daily Mail”.
“Aktualisht jam lojtar pa angazhim. Jam në gjendje të mirë fizike, mund të luaj së paku edhe dy vjet në nivelin më të lartë. Kushdo që më merr mua do të ketë një marrëveshje të madhe. Një futbollist profesionist, serioz dhe i fortë”, ka theksuar ai.
Zaccardo luajti në dy ndeshjet e para në triumfin e Italisë në Botërorin 2006, ndërsa kishte shënuar një autogol në ndeshjen e dytë kundër SHBA-së.
Ai po ashtu u aktivizua nga banka rezervë në fitoren e Italisë në çerekfinale ndaj Ukrainës, por luajti vetëm edhe dy ndeshje tjera për Italinë pas Botërorit. Në total ka luajtur me Italinë 18 ndeshje dhe ka shënuar një gol.
Zaccardo gjatë karrierës ka luajtur për Milanin, Parman, Bolognan, Palermon, Carpin dhe Wolfsburgun.
(Kosova Sot)