Kosova mëson të enjten kundërshtarët
Pas fitores spektakolare kundër Estonisë në mbrëmjen e sotme në kryeqytet, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, të enjten, më 24 gusht do t’i mësojë kundërshtarët e kualifikimeve për Botërorin “Kina 2019”.
Tërheqja e shortit do të bëhet në orën 10:30, kurse Kosova si e dyta e grupit C në parakualifikime do të bëjë pjesë në njërin prej grupeve A, C ose E, derisa në Grupin G nuk do të mund të përfshihet pasi aty bën pjesë Serbia dhe FIBA e ka përjashtuar mundësinë që këto dy shtete të përfshihen në të njëjtin grup.
Kësisoj, Kosova do të mund të përfshihet në Grupin A, ku bëjnë pjesë Mali i Zi, Sllovenia dhe Spanja, pastaj në Grupin B ku janë Polonia, Lituania dhe Hungaria ose në Grupin E, ku janë Belgjika, Franca dhe Rusia.
Pa dyshim se niveli I të gjitha këtyre skuadrave është i jashtëzakonshëm, por rëndësi ka fakti që tashmë Kosova do të jetë pjesë e kësaj faze kualifikuese ku janë të përfshira ekipet kombëtare më të mira të kontinentit.
(Kosova Sot)