Gerrard, Lampard dhe Ferdinand e lartësojnë Messin pas lojës ndaj Chelseat
Paraqitja e Lionel Messit kundër Chelseat të martën mbrëma ka marrë vlerësime të rralla nga ekspertët e BT Sport, ish-yjet e Anglisë, Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Rio Ferdinand.
Messi gjeti hapësirat më të ngushta për ta finalizuar me gol pasimin e Andres Iniestas në minutën e 75-të ndeshjes, duke e barazuar rezultatin në 1-1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales mes Chelseat dhe Barcelonës në “Stamford Bridge”.
Pas kësaj ndeshje, Gerrard, Lampard dhe Ferdinand i thuren lavde pesë herë fitues të Topit të Artë.
“Ndiej se në sytë e tij [Messit] ndeshja thjesht ngadalësohet për të. Ai luan në slow motion sepse atij i vjen aq lehtë dhe aq natyrshëm të luajë”, ka thënë ish-ylli i Manchester United, Rio Ferdinand.
“Të gjithë lëvizen shpejt dhe në mënyrë të çrregullt kur topi [nga Iniesta] shkoi në zonën e 16-metersisht... por ai e dinte se nga do të hidhej portieri prandaj dhe zgjodhi këndin e kundërt të tij, duke e bërë Thibaut Courtoisin të dukej budalla”, shtoi Ferdinand.
Ndërkohë, legjenda e Liverpoolit, Gerrard ka thënë: “Pranimi i topit, lëvizjet e tij, hapësira që e gjen kur është ngushtë ... ai është i papërsëritshëm dhe është fantastike të jesh në të njëjtin stadium me të, e lerë më të garosh kunër tij”.
(Kosova Sot)