Habit ylli i Kroacisë, e refuzon medaljen e Botërorit
Nikola Kaliniç, sulmuesi i Milanit dhe i Kroacisë, që në këtë Botëror u bë i njohur për keq, pasi u përjashtua nga trajneri Zlatko Daliç nga ekipi, ka refuzuar të marrë medaljen e vendit të dytë, pas kthimit të kombëtares kroate në shtëpi.
Kaliniç refuzoi të futej si zëvendësues në fitoren 2-0 të Kroacisë ndaj Nigerisë, në takimin e parë në grupe, por kjo sjellje nuk u tolerua nga trajneri Daliç, që e dëboi për në shtëpi.
Edhe pse nuk kishte luajtur asnjë minutë dhe më pas i përjashtuar nga ekipi, shokët dhe stafi te Kroacia vendosën që t’i japin medaljen e argjendtë, por 30 vjeçari ka refuzuar ta marrë këtë medalje.
“Faleminderit për medaljen, por unë nuk luajta fare në Rusi” – tha Kaliniç për median kroate Sportske Novosti.
(Kosova Sot)