Panucci afër shkarkimit, Duka kontakton legjendën e futbollit shqiptar për pozitën e trajnerit
Humbja 0-1 ndaj Skocisë ka tronditur themelet e kombëtares shqiptare dhe duket se trajneri italian, Christian Panucci e ka mbyllur aventurën e tij në stolin kuqezi.
Pritet vetëm vendimi zyrtar, por largimi duket i pashmangshëm.
Nga ana tjetër FSHF po mendon që në vendin e tij, të vërë një trajner shqiptar dhe sipas “Panorama Sport”, drejtuesit e Federatës kanë kontaktuar me legjendën Bledar Kola.
Ish-mesfushori i kombëtares që aktualisht ka rolin e zv.trajnerit të AEK-ut në Greqi, shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës.
Ai ka punuar prej vitesh në kampionatin grek, madje atje shkoi që në vitin 2002, një vit pasi u largua nga Kombëtarja shqiptare.
Kola ka një karrierë të pasur si trajner në Greqi, por edhe si zv.trajner. Kujtojmë që në kombëtare, Kola ka luajtur në vitet 1990-2001, duke shënuar 6 gola në 40 takime.
(Kosova Sot)