Haradinaj: E dhimbshme sesi ekipi më i mirë në Kosovë ende s’ka palestër të veten
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka lartësuar hendbollistet e Istogut për arritjen në mesin e 16 skuadrave më të mira në Challenge Cup, derisa edhe ka nënvizuar se është e dhimbshme sesi klubi më i mirë në vend ende nuk posedon palestrën e vet.
Në një postim në llogarinë e vet zyrtare në rrjetin social, Facebook, Haradinaj insistoi se Qeveria e tij do t’i mbështesë ato në rrugëtimin e tyre pas një takimi që pati me to në zyrën e tij.
“Sportistët përditë po na japin mesazhin fantastik se me këmbëngulje mund të kalohen edhe sfidat më të mëdha. Gjatë takimit me anëtaret e klubit hendbollistik të femrave “Istogu”, i përgëzova për arritjen në të tetën e finales së Challenge Cup, duke u renditur në mesin e 16 ekipeve më të mira të Europës”, shkroi Haradinaj.
“Ndonëse ekipi më i mirë në Kosovë, e dhimbshme se ende janë pa adresë të veten, pa Palestër në qytetin e tyre. Qeveria do t’i mbështesë ato në rrugëtimin drejt majave të hendbollit botëror”, shtoi ai.
(Kosova Sot)