Piateku mbeti jashtë skuadrës së Polonisë për Botëror, tani është bërë ylli i Milanit
Nëse Gennaro Gattuso është njeriu i cili do ta kthejë Milanin në majën e futbollit italian, puna e tij në afatin kalimtar të janarit mund të rezultojë të jetë më vendimtarja.
Ofertat e Chelseat për Gonzalo Higuainin e kishin lënë ish-mesfushorin e Milanit me përgjegjësinë për ta gjetur një zëvendësues gjatë janarit, një kohë shumë e shkurtë për të transferuar një lojtar të mirë.
Por, pasi Juventusi e kaloi Higuainin në huazim nga Milani në Chelsea, klubi i San Siros e siguroi transferimin e Krzysztof Piatekut. Për 35 milionë euro, Milani arriti marrëveshje me Genoas dhe polaku u bë pjesë e kuqezinjve.
Piateku kishte qenë pjesë e Genoas vetëm për gjashtë muaj. Ai erdhi nga klubi polak, Cracovia, gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, pasi i kishte shënuar 21 gola në sezonin e fundit, duke u bërë golashënuesi i tretë më i mirë në ligën polake.
Ai nuk bëri mjaftueshëm për ta bindur trajnerin e atëhershëm të Polonisë, Adam Nawalka, i cili nuk e zgjodhi Piatekun në skuadrën e tij për Kupën e Botës. Ai kishte qenë pjesë e skuadre preliminare prej 35 lojtarësh, mirëpo kishte mbetur jashtë skuadrës prej 23 lojtarëve të zgjedhur për të shkuar në Rusi.
Megjithatë, që nga atëherë, karriera e tij është përmirësuar në mënyrë drastike. Jeta e tij filloi në Genoa, ku ai i shënoi tre gola në dy ndeshjet e tij të para dhe pastaj debutoi për Poloninë në barazimin 1:1 kundër Irlandës.
Kur erdhi janari, Piateku veçse i kishte shënuar 15 gola në 20 ndeshje për klubin e tij të ri dhe e kishte shënuar golin e tij të parë për Poloninë. Ai e kishte kapur vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane.
Megjithatë, ishte Milani klubi që në fund triumfoi në garën për polakun. Transferimi i Higuainit në Chelsea e kishte lënë Gattuson me përgjegjësinë për ta riformuar sulmin. Ishte thelbësore që ai të mos dështonte në këtë punë, pasi që Milani synon kualifikimin për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Kështu që, Gattuso e kërkoi Piatekun dhe pas gjashtë golave të shënuar në pesë ndeshjet e para, në njërën prej të cilave u aktivizua nga banka rezervë, tashmë puna që Milani bëri gjatë afatit kalimtar të janarit duket si një kryevepër.
Për më tepër, Higuaini nuk ka arritur ta përmirësojë formën e tij këtë sezon, përkundër që arriti t’i plotësohet dëshira për t’u transferuar në Chelsea.
Tani, Milani janë në vend të katërt, me katër pikë larg Romës, që renditet në vendin e pestë. Mirëpo, skuadra e Eusebio Di Francescos e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
(Kosova Sot)