Real Madridi ia rrëmben Rabiotin Barcelonës

  • 29 March 2019 - 12:23
Real Madridi ia rrëmben Rabiotin Barcelonës

Real Madridi besohet se ka arritur marrëveshje me Adrien Rabiotin e Paris Saint-Germainit, përkundër interesimit që Barcelona e kishte shprehur për francezit që pothuajse një vit.

E përditshmja spanjolle, AS, pretendon se mesfushori francez, Adrien Rabiot, është duke udhëtuar drejt kryeqytetit spanjoll pasi arriti marrëveshje me drejtorët e Real Madridit.

Real Madridi do të mund ta përforcojë skuadrën madrilene me Rabiotin pa ia paguar asnjë cent PSG-së, pasi që kontrata e Rabiotit përfundon këtë verë dhe ai nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratë të re.

Barcelona besohej se ishte favorite për t’i siguruar shërbimet e francezit, pasi kishin qenë në negociata me lojtarin për disa muaj rresht. Madje, PSG-ja e kishte akuzuar Barcelonën se e kishte penguar Rabiotin ta rinovonte kontratën me klubin francez.

Gazeta angleze, The Sun, kishte raportuar se pasi që negociatat mes Barcelonës dhe Rabiotit kishin qenë më të gjata sesa ishte pritur, edhe Manchester Unitedi, Chelsea e Arsenali e kishin pasur mundësinë t’i bënin ofertë Rabiotit. Megjithatë, duket se Real Madridi do të jetë klubi që do ta marrë Rabioti këtë verë. Francezi do të duhet të garojë me lojtarë si Toni Kroos dhe Luka Modrici për ta zënë një vend në mesfushën e Real Madridit.

(Kosova Sot)