Udinese e Valon Behramit e thellon në krizë Milanin dhe Gattuson

  • 02 April 2019 - 21:03
Udinese e Valon Behramit e thellon në krizë Milanin dhe Gattuson

Milani ka dështuar të fitojë për ndeshjen e tretë më radhë në Serie A, pasi u ndal me barazim 1:1 nga Udinese e udhëhequr nga kosovari Valon Behrami.

Kevin Lasagna i siguroi një pikë Udineses në luftë për ta siguruar mbijetesën në Serie A kur shënoi golin e barazimit njëzet e pesë minuta para fundit, pasi Krzysztof Piatek e kishte kaluar në epërsi Milanin në fund të pjesës së parë.

Skuadra e Gennaro Gattusos dështoi përsëri ta rigjejë rrugën e fitores pas dy humbjeve radhazi kundër Interit dhe Sampdorias në dy javët paraprake, duke e vënë në rrezik pozitën e katër në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

Me gjithë rastet e shumta dhe dominimin, kuqezinjtë e thyen akullin vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Piatek shënoi pas tentimit të dytë.

Por, Lasagna e barazoi rezultatin me goditjen e dytë në portë të vizitorëve në këtë pjesë lojë.

Kjo pikë e çon Udinesen në pozitën e 15-të më 29 pikë, katër më shumë se Empoli në vendin e 18-të, pozitën që dërgon një ligë më poshtë.

Ndërkohë, Milani tani grumbullon 52 pikë në pozitën e katërt, katër më shumë se Lazio në pozitën e pestë. Por, lazianët kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara.

(Kosova Sot)