Moda vazhdon, trajnerët fajtorë për gjithçka!

  • 17 April 2019 - 09:55
Moda vazhdon, trajnerët fajtorë për gjithçka!

Më shumë se 30 trajnerë janë ndërruar brenda një viti

"Pak klube kanë drejtorë sportivë që e dinë se çfarë është futbolli edhe që kanë luajtur futboll. Pak ka në klube kësi drejtorë që kanë veshur këpucët e futbollit. Shumica e tyre janë vegël e presidentit të klubit. Pikërisht joprofesonalizmi i drejtorëve sportivë po bën të kemi kaq shumë shkarkime të trajnerëve në futbollin tonë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Erdin Hashani

Tashmë shkarkimi i një trajneri nga klubet kosovare nuk përbën më lajm. 30 trajnerë të ndërruar brenda një edicioni dëshmon qartë se këtu më asgjë të papritur nuk ka dhe se gjithçka duket të jetë normale. Gjithsesi, ata që merren me futbollin dhe e njohin shumë mirë lojën më të popullarizuar në botë, e kanë të qartë se ndërrimet kaq të shpeshta të trajnerëve gjithçka mund t'i sjellin futbollit, përveç profesionalizmit dhe ngritjes së cilësisë jo.

Përkundër këtyre kritikave të vazhdueshme, drejtuesit e klubeve tona vazhdojnë avazin e tyre dhe për gjithçka dhe pa fare përtesë e shkarkojnë trajnerin. Skuadra e fundit që e bëri këtë veprim është Ballkani nga Theranda, e cila të hënën ndërpreu bashkëpunimin me Sami Sermaxhajnë ndërsa dje e emërojë Gani Sejdiun në këtë posti. Sejdiu është i treti trajner që emërohet te Ballkani brenda këtij edicioni. E nisi me Bekim Shotanin, vazhdoi me Sami Sermaxhjan dhe tash Ballkani shpreson ta përfundojë me Gani Sejdiun e që shumë lehtë mund të ndodhë edhe ky të mos e çojë deri në fund misionin. Kjo varësisht prej rezultateve që do t'i ketë në fillim

Trajnerët e lirë shkarkohen lehtë

"Sikur është bërë shprehi tek ne me i ndërruar trajnerët për gjithçka", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani, i cili këtë vit nisi zejen e trajnerit, pasi deri tash ishte futbollist aktiv. Hashani beson të mos e ketë fatin e kolegëve të tij, derisa duhet pranuar që hapat e tij të parë janë premtues, pasi me shumë sukses po e udhëheq skuadrën e Dardanës."Ndoshta pak kanë faj edhe vetë trajnerët, pasi kur të bëjnë marrëveshje duhet diskutuar çdo detaj. E dyta varet edhe nga pagesa, pasi ai trajnerë që paguhet mirë nuk shkarkohet lehë pasi klubit i kushton", ka thënë Hashani, i cili gjithsesi një faj të madh ia lë kryesisë. "Kryesitë e klubeve duhet pak më shumë me u dhënë kohë trajnerëve, sepse gjërat nuk ndryshojnë brenda natës. Si duket qëllimi i klubit është që suksesi të bëhet brenda një viti apo brenda një gjysmësezoni dhe kjo është një arsye që po shkarkohen trajnerët kaq shpesh", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani

Menaxhimi i dështuar i klubeve

Ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare, por edhe atyre në kampionatin e Shqipërisë, Erdin Hashani, ka thënë se klubet tona duhet të ndryshojë qasjen e menaxhimit, që të funksionojnë në mënyrë më profesionale."Pak klube kanë drejtorë sportivë adekuatë, që e dinë se çfarë është futbolli edhe që kanë luajtur futboll. Pak ka në klube kësi drejtorë sportivë, që kanë veshur këpucët e futbollit. Shumica e tyre sikur janë vegël e presidentit të klubit", ka thënë Hashani për "Kosova Sot".

"Drejtori sportiv duhet me qenë urë lidhëse mes presidentit dhe trajnerit. Mosdija e drejtorëve sportivë po çon tek ky shkarkim i trajnerëve në Superligën tonë", ka vlerësuar Hashani, duke shtuar se klubet duhet të kenë durimin dhe të besojnë në trajnerë më shumë. "Asnjë trajner nuk ka shkop magjik që t'i ndryshojë gjërat brenda nate. Secili trajner e ka atë filozofinë e vet të lojës, e cila për t'u zbatuar në përpikëri duhet t'i jepet më shumë kohë e jo të kërkohen rezultate të menjëhershme", ka përfunduar Erdin Hashani.

(Kosova Sot)