Ruiz e kërcënon Joshuan para meçit të 1 qershorit: Po vij për ty

  • 06 May 2019 - 13:09
Ruiz e kërcënon Joshuan para meçit të 1 qershorit: Po vij për ty

Boksieri amerikan Andy Ruiz Jr ka deklaruar sot se muskujt e rivalit të tij britanik Anthony Joshua nuk do ta trembin aspak në duelin e 1 qershorit, sfidë që dy boksierët do të zhvillojnë në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut.

Ruiz Jr, 32 fitore e 1 humbje në karrierën e tij, do të duelojë për titujt kampionë bote në peshën e rëndë në kategoritë IBF, WBA dhe WBO që mbahen nga Joshua.

Ruiz Jr vjen në këtë sfidë pas fitores ndaj gjermanit Dimitrenko më 20 prill dhe nuk ka shumë kohë për t’u përgatitur për duelin e 1 qershorit. Gjithsesi, amerikani ka një mesazh për Joshua.

“Ai është kampion bote. Për këtë nuk ka asnjë diskutim ashtu sikurse edhe për atë që ai ka arritur në ring. Por edhe unë jam një boksier i madh gjithashtu. Joshua, e pranova këtë sfidë për ty, për të të mundur dhe treguar vendin”, tha Ruiz Jr.

“Në këtë sport nuk vlejnë shumë spaletat kur ngjitesh në ring. Edhe unë jam i fuqishëm, një boksier ku kombinohet teknika dhe shpejtësia, ndaj e pranova këtë sfidë pasi besoj se do ta fitoj atë. Shumë njerëz më kanë nënvlerësuar, sidomos kur shohin pamjen time. Gjithsesi, kur të shohin grushtet e mia do të kuptojnë forcën time”, tha Andy Ruiz Jr, që zuri vendin e Jarrell Miller, që doli pozitiv me doping.

(Kosova Sot Online)