Tronditet FFK-ja, Komiteti Ekzekutiv i pushon të gjitha komisionet

  • 14 May 2019 - 19:26
Tronditet FFK-ja, Komiteti Ekzekutiv i pushon të gjitha komisionet

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Ademi e ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e garave të Kampionatit të Kosovës, përkatësisht javët e fundit dhe konstatoi se garat kanë rrjedhë normale sipas orarit dhe dinamikës së paraparë.

KE ka marrë vendim që pas përfundimit të garave të këtij edicioni të pushojë mandatin dhe punën e të gjitha Komisioneve dhe Shoqatave dhe do të bëjë riformatizimin e tyre para edicionit të ri të garave me qëllim të profesionalizimit të këtyre Komisioneve dhe Shoqatave në përputhje me kërkesat e kohës dhe në të mirë të futbollit të Kosovës. KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij Organi.

Në anën tjetër është konstatim i KE se kurrë më parë nuk ka pasur një kampionat ku lufta për kampion dhe për rënie të ketë qenë kaq shumë e paqartë dhe kjo ka bërë që të kemi ndeshje të forta, cilësore e pa kalkulime. Kjo ka bërë që të kemi një Kampionat joshës, interesant dhe me një rivalitet të madh sportivë. Së këndejmi KE duke marrë këtë peshë të ndeshjeve ka shprehur gatishmërinë që të miratojë çdo kërkesë të klubeve gjithnjë në të mirë të mbarëvajtjes së garave.

Megjithëkëtë ka pasur individë të caktuar që sërish të atakojnë FFK-në pas asnjë fakt. Ndaj KE nuk do të tolerojë askënd që përpiqet ta dëmtojë imazhin e garave dhe të dëmtojë mbarëvajtjen e garave. Ashtu siç kemi qenë të pakompromis ndaj çdokujt që ka bërë lëshime dhe gabime ashtu do të jemi të pakompromisë edhe ndaj përpjekjeve të çdo individi që ka për qëllim të njollosë dhe të dëmtojë këtë imazh të mirë të garave.

Meqenëse kanë mbetur dhe dy xhiro, KE është i përkushtuar ta shtojë monitorimin e të gjitha ndeshjeve, por edhe u bën thirrje klubeve si dhe organeve relevante të FFK-së që me përgjegjësi e profesionalizëm t’i qasen ndeshjeve në mënyrë që kemi një përfundim të mirë e të merituar të kampionatit.

KE shqyrtoi edhe dinamikën e përgatitjeve për ndeshjen e Digitalb Kupës së Kosovës, e cila do të zhvillohet më 24 maj në orën 20.45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke konstatuar se gjithçka po shkon sipas planit të paraparë.

Në këtë mbledhje KE miratoi edhe Planin zhvillimor për Edukimin e Trajnerëve. Po ashtu KE ka miratuar edhe Parimet e Kontratës për Objektivat e përcaktuara me CAO të FIFA-s. Tutje KE ka miratuar edhe Raportin e Licencimit të klubeve për garat ndërkombëtare UCL dhe UEL.

(Kosova Sot Online)