Mbrojtësi i Bullgarisë: Disfata kundër Kosovës është një shuplakë e rëndë për të gjithë

  • 11 June 2019 - 11:08
Mbrojtësi i Bullgarisë: Disfata kundër Kosovës është një shuplakë e rëndë për të gjithë

Mbrojtësi i krahut të djathtë të Bullgarisë, Strahil Popov, e komentoi disfatën me rezultat 3:2 kundër Kosovës. Ai ishte shumë i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës, që e pësoi disfatën e dytë në kualifikimet për EURO 2020.

Skuadra e Bernard Challandes ishte dominuese për pjesën më të madhe të ndeshjes të së hënës kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Më i miri për Bullgarinë, sipas SofaScore, ishte kapiteni Ivelin Popov (7.4), i cili e shënoi golin e parë të skuadrës së tij. Me notën më të ulët u vlerësua portieri Nikolay Mihaylov, ndërsa pas tij pikërisht mbrojtësi Strahil Popov, i cili e kishte për detyrë ta ruante Milot Rashicën.

“Nëse humbasim në Sofje kundër Kosovës, mendoj se nuk kemi çfarë të themi. Jemi të gjithë shumë të zhgënjyer, është një shuplakë e fortë për të gjithë. Së fundi nuk kemi pasur rezultate të mirë”, ka thënë Popov.

“Është normale që të gjithë të kenë komente negative për ne. Ne vetëm mund t’u kërkojmë falje të gjithë njerëzve. Nuk mund të them asgjë tjetër. Edhe nëse jemi të fundit, e meritojmë. Por, nuk mendojmë se do të jemi në atë pozitë”.

Me këtë fitore, Kosova radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A, vetëm me një pikë më pak sesa Anglia dhe Republika Çeke. Megjithatë, Anglia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Tabela e Grupit A:

Image

 

 

(Kosova Sot Online)