Dita e shtatë e Botërorit të vashave: Ndeshjet që duhet t’i shikoni

  • 13 June 2019 - 10:00
Dita e shtatë e Botërorit të vashave: Ndeshjet që duhet t’i shikoni

Sot do të zhvillohet ndeshjet e ditës së shtatë të Kampionatit Botëror të vashave, ku mund ta shikoni përballjen mes Brazilit dhe Australisë, si dhe Afrikës së Jugut e Kinës.

Franca nuk e pati aspak të lehtë ndeshjen e djeshme kundër Norvegjisë, e cila ishte mjaft interesante dhe përfundoi me rezultat 2:1. Megjithatë, nikoqiret e këtij turneu i siguruan tri pikët e ndeshjes, duke e vazhduar kështu rekordin e 100 për qindtë.

Gjermania gjithashtu vazhdoi me fitore, por a do të mundë ta bëjë të njëjtën gjë edhe Brazili në ditën e shtatë? Përballja e tyre me Australinë pritet të jetë njëra ndër përballjet më interesante të fazës së grupeve.

Kush do të luajë?

Brazili do të përballet me Australinë në Montpellier në Grupin C në orën 18:00, ndërsa në ndeshjen tjetër të sotshme do të përballen Afrika e Jugut dhe Kina, në Grupin B, në orën 20:00.

Faktet kryesore:

– Australia e mposhti Brazilin me rezultat 1:0 në rundin e 1/8 të finales në vitin 2015 – hera e vetme në nëntë ndeshjet e fundit të Kupës së Botës në të cilën Brazili nuk arriti të shënojë.

– Australia i ka humbur tri ndeshjet e fundit – ecuria e tyre më e dobët që nga qershori i vitit 2008, kur i kishin humbur katër ndeshje radhazi.

– Brazili i ka fituar 10 ndeshjet e tyre të fundit në fazën e grupit, duke e mbajtur portën e paprekur në të gjitha. Ata janë të pamposhtur që 16 ndeshje.

– Afrika e Jugut i ka humbur tri ndeshjet e fundit, duke i pranuar 13 gola gjatë këtyre ndeshjeve.

– Disfata e Kinës kundër Gjermanisë ishte vetëm e treta herë në 19 ndeshjet e tyre në fazën e grupeve të Botërorit, mirëpo të gjitha këto disfata kanë qenë gjatë gjashtë ndeshjeve të fundit.

Historia e këtyre ndeshjeve:

Brazili dhe Australia konsideroheshin favorite për ta fituar trofeun e këtij edicioni të Kampionatit Botëror. Përderisa Brazili e dëshmoi qysh në ndeshjen e parë, Australia u duk se ka ende punë për të bërë.

Pas fitores së Gjermanisë kundër Spanjës, Afrika e Jugut dhe Kina do të tentojnë të përfitojnë nga kjo mundësi dhe t’i rrisin gjasat për ta zënë vendin e dytë në Grupin B. 

(Kosova Sot Online)