Distria Krasniqi, e argjendtë në “Budapest Grand Prix”
Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e argjendtë në “Budapest Grand Prix 2019”, i cili po mbahet në Hungari.
Ajo u mposht në finale me Ippon nga xhudistja japoneze, Funa Tonaki pas “Golden Score”.
Distria e kishte kaluar xhiron e parë pa luftë në kategorinë 48 kilogramë, ndërsa në atë të dytë e eliminoi rusen Sabina Giliazova.
Në rrethin e tretë, Krasniqi ishte më e mirë se kinezja Yanan Li për të shkuar në gjysmëfinale.
Aty e mposhti spanjollen Julia Figueroa për ta prekur finalen, ku humbi në luftën për medaljen e artë nga xhudistja japoneze.
Pas Krasniqit, medalje në Budapest do të kërkojnë edhe Nora Gjakova dhe Majlinda Kelmendi.
(Kosova Sot Online)